Nisma e re, sekuestro kompjuterëve të biznesit
22/12/2009 Deputetët diskutojnë ndryshimet në ligjin e procedurave tatimore
Nëse tatimorët dyshojnë se një biznes ka fshehur xhiron e tij vjetore, apo fsheh informacione për situatën e tij ekonomike-financiare, atëherë me ligj do të kenë të drejtë që të sekuestrojë kompjuterin e kompanisë apo biznesit, cilido qoftë ai për një periudhë njëmujore. Kjo është nisma më e fundit e hartuar nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve, e cila është diskutuar dhe miratuar dje në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. “Shtesa e propozuar në nenin 127 i jep të drejtën organeve tatimore të sekuestrojnë dokumentacionin, pajisjet kompjuterike dhe fiskale dhe mjetet e tjera të mbajtjes së dokumentacionit të tatimpaguesit në mjediset e ushtrimit të veprimtarisë së tij, në rast se inspektorët tatimorë kanë të dhëna të besueshme se tatimpaguesi fsheh informacione për situatën e tij ekonomike dhe financiare”, - thekson relacioni. Deputetët e mazhorancës kanë debatuar në lidhje me zbatimin e këtij ndryshimi në ligj dhe disa prej tyre e kanë kundërshtuar këtë fakt.
Debatet
Ndryshimi në ligjin “Për procedurat tatimore”, sipas të cilit tatimorët mund t’i bllokojnë pajisjet kompjuterike të bizneseve me të gjitha të dhënat fiskale, për një muaj ka shkaktuar debate mes deputetëve. Disa prej tyre e kanë konsideruar këtë ndryshim si represive dhe një cenim për të drejtat e biznesit. Periudha prej një muaj sipas deputetëve të PD-së është në disfavor të kompanive, pasi administrata tatimore nuk merr parasysh çfarë dëmi i shkaktohet biznesit një bllokim i punës përgjatë kësaj kohe. Ndërsa ish-zëvendësministri i Financave, Florjon Mima, është shprehur se gjatë kësaj periudhe tatimorët thjesht do të kontrollojnë të dhënat dhe kompjuterët do të kthehen të paprekur me të gjitha të dhënat sërish te biznesi. Ekspertët e Ministrisë së Financave kanë theksuar se ky është vetëm një ndryshim në ligj dhe mënyra e funksionimit të administratës tatimore në këto raste do të përcaktohet me udhëzim të veçantë. Projektligji me ndryshimet është miratuar nga deputetët dhe do të diskutohet në seancën e ardhshme plenare.