Gjobat për pajisjet fiskale
22/12/2009 Kundërvajtjet që do të aplikohen edhe për moslëshimin e kuponëve fiskalë e të biletave
Miratohen ndryshimet. Nga 100 mijë lekë deri në mbyllje të aktivitetit
Autoritetet fiskale paralajmërojnë se do të ketë ndëshkime të ashpra për ata që nuk e instalojnë pajisjet fiskale. Shumë prej bizneseve të kryeqytetit kanë kaluar në sitën e kontrollit të tatimeve gjatë këtyre ditëve duke konkretizuar aksionin ndaj bizneseve që nuk e kanë zbatuar këtë detyrim. Ndryshimet e projektligjit janë diskutuar dhe miratuar dje në komisionin e ekonomisë dhe Financave. Sipas relacionit përkatës ndryshimi i nenit 122 “Kundërvajtjet administrative në përdorimin e pajisjeve fiskale i cili u diktua nga një sërë faktorësh. Në këtë nen trajtohen rastet kur ndaj tatimpaguesve merren masa më të rrepta, nëse nuk instalojnë pajisjet fiskale sipas afateve ligjore të vendosura, me aktet ligjore e nënligjore. Brenda kërkesave të këtij neni, sipas relacionit janë parë edhe masa e gjobave, duke mos lënë kufij të papërcaktuar ose me limite, të cilat të vendoseshin nga inspektorët të cilët kishin mundësi të përdornin gjoba sipas dëshirës së tyre. Gjithashtu, në këtë nen është shtuar edhe një pikë e re për detyrimin e lëshimit të biletave me vlerë të parashtypur. Moslëshimi i këtyre biletave dënohet me gjoba të cilat disiplinojnë tatimpaguesin. Me riformulimin e këtij neni shfuqizohen pikat 2, 3 dhe 4 ku trajtoheshin gjobat e vendosura ndaj drejtorëve të shoqërisë (të cilëve jo vetëm nuk mund t’u vilen, por edhe ligjërisht për shkelje dënohet shoqëria dhe jo individë të veçantë). Ndryshimi i nenit 123, “Dënimet për shoqëritë e autorizuara”, sipas ekspertëve synon edhe përfshirjen e masave ndëshkuese për shoqëri të cilat tregtojnë pajisje fiskale pa qenë të amortizuara të kryejnë shitjen dhe mirëmbajtjen e tyre. kjo pasi mungesa në legjislacion e kësaj mase ndëshkuese do t’i lejonte ato të shkelnin ligjin pa u ndëshkuar. Ndryshimi i nenit 16 “Struktura e administratës tatimore dhe qendrore”, u diktua nga mungesa e një strukture të specializuar zbulimi dhe hetimi për administratën tatimore qendrore për vepra korruptive. Shtesa e bërë në nenin 40, “Regjistrimi i personave që ushtrojnë veprimtari tregtare” lidhet me regjistrimin pranë organeve tatimore të personave që ushtrojnë veprimtari jotregtare, konkretisht të kryefamiljarit, që punëson persona si punëtorë shtëpie. Ky regjistrim është i nevojshëm për pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore për punëtorët e shtëpisë. Sipas specialistëve, ndryshimi i nenit 65 synon përcaktimin e dorëzimit në mënyrë të detyrueshme të deklaratave tatimore dhe të dokumenteve të tjera tatimore në formë elektronike e-filing, për tatimpaguesit sipas afateve kohore që do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Sipas ekspertëve të Financave ky ndryshim synon përmirësimin dhe lehtësimin e procedurave administrative si për tatimpaguesit ashtu edhe për administratën tatimore.