Stabilizohet këmbimi, euro mbetet në kuotat 140
Euro është forcuar ndjeshëm këtë fillim jave në tregun tonë të këmbimit, duke iu afruar kuotës së 140.90 lekëve, niveli më i lartë i muajve të fundit, në një kohë që monedha e gjelbër, dollari, ka humbur pikë ndaj lekut, duke u tregtuar 1 usd me 99.30 lekë, nga 100 lekë që ishte në fillim të javës së kaluar. Drejtuesit e agjencive valutore shpjegojnë se shkëmbimet e valutave në vendin tonë po ndjekin ecurinë e bursave ndërkombëtare. Sipas treguesve në agjencitë valutore, një euro u ble dje me 140.50 lekë, nga 140.00 lekë që ishte javën e kaluar dhe u shit me 140.90 lekë, kundrejt 140.50 lekëve që ishte një javë më parë. Ndërsa një dollar blihet me 98.70 lekë, nga 100.7 lekë që ishte javën e kaluar dhe shitet me 99.30 lekë ndaj 101.3 lekë javën e kaluar. Një euro e fortë penalizon klientët e bankave që kanë marrë kredi në këtë monedhë, pasi ata do të paguajnë më shumë për këstet mujore. Gjithashtu, pritet shtrenjtim i importeve, çka përkthehet me rritje të çmimeve në treg.