E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankierët europianë: G20, të jetë e matur me rregullat

Bankierët evropianë i paralajmëruan sot liderët e G20-s, të mbledhur në Shtetet e Bashkuara, lidhur me rreziqet nga vendosja e rregullave tepër strikte, që do të kërkonin fonde shumë të mëdha, duke frenuar kështu investimet dhe për rrjedhojë duke vënë në rrezik rimëkëmbjen e ekonomisë globale.
Njëzetë vendet kryesore të zhvilluara dhe në zhvillim (G20) të mbledhur në Pitsburg shpresojnë në arritjen e një marrëveshjeje për forcimin e normave mbi kapitalet e brendshme të bankave, për të kufizuar "oreksin e tyre për operacione spekulative në të ardhmen".
Vendet evropiane bëjnë thirrje për zbatimin e marrëveshjes Bale II, e nënshkruar në vitin 2004, që është tashmë në fuqi në Bashkimin Evropian, por që nuk pritet të jetë përpara 2011 në Shtetet e Bashkuara. Parimi i saj është t'i detyrojë bankat të mbajnë fondet e tyre në kuotën e 8 për qindëshit të bazës së aktiveve të tyre.
Guido Ravoet i Federatës Evropiane të Bankave (EBF) theksoi sot në Bruksel se masa të reja lidhur me kapitalet e vetë bankave duhet "të merren atëherë kur të jetë e sigurtë rimëkëmbja ekonomike".
Ai kërkoi që qeveritë të presin, përpara se të veprojnë, publikimin vitin e ardhshëm të raportit të Komitetit të Bales.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›