E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur futbolli nis dhe imiton politikën Kemi një Partizan me tre përfaqësues

NGA DRITAN LUNDRA

As vete nuk e kisha besuar se sa e vështirë do ishte të drejtoje një skuadër futbolli. Duke parë skuadrat e tjera të Botës gjithmonë kam gjetur një strukturë shumë të përcaktuar dhe gjithmonë kam menduar se nuk ka nevojë që ne shqiptarët të bëjmë shpikje. Megjithatë, pavarësisht se çdo ditë ulërasim se jemi në Europë, përsëri vazhdojmë të veprojmë alla shqiptarçe, ose më saktë topi është imi penalltinë do e gjuaj unë (nuk e di se kush e ka nxjerrë këtë shprehje, por paska qenë njëri i madh). Ti marrim gjërat me radhë

Partizani. Nuk kam asnjë mundësi që të mos e nis dhe ta përfundoj këtë artikull pa këtë skuadër. Të premten skuadra me emrin Partizani luan kundër Mamurrasit. Fiton 3-1, ku bluza është e kuqe, stema është ajo e Partizanit dhe tifozët (ata që kanë ndjekur ndeshjen) duket se janë ngrohur, pra kjo skuadër ka të ardhme. Në listën e atyre që kanë zhvilluar këtë ndeshje janë edhe trajnerët Nikolin Çoçlli dhe Ylli Shehu. Deri këtu OK. Në letra si i parë i kësaj skuadre njihet Paro Laçi. Por ndërsa Partizani luante ndeshjen, në një sallë, të tjerë njerëz, me të tjera objektiva, por me të njëjtën stemë, po me të njëjtin status, zhvillonin prezantimin e një tjetër skuadre, por me të njëjtin emër Partizani. Të tjerë njerëz, të tjerë investitorë, ndonëse emrat janë vërtet për tu admiruar. Nga Artan Shyti, te Roland Mici, nga Neptun Bajko te Blendi Nallbani e për të përfunduar te trajneri grek  Nikos Kokinos. E bashkë me ta edhe një menaxher bullgar, si dhe dy futbollistë nga ky kampionat, Cvetan Filipov dhe Javor Vandev. Bashkë me ta edhe dy grekë si dhe 4 shqiptarë që luajnë në kampionatin grek. Shkurt  bëhen tetë. Për momentin kaq janë, por flitet se të hënën do nisin edhe kontratat e reja. Pra nga një Partizan që luan dhe bën ndeshje miqësore, bëhen dy dhe tani federatës së futbollit i duhet të vendosë se cilin Partizan do njohë.

Por kujdes se ka edhe një Partizan tjetër. Eshtë ai që duan tifozët, ose një Partizan që duhet të ketë me vete edhe Ministrinë e Mbrojtjes. Në seanca gjyqësore Ministria ka humbur, por tifozët premtojnë jo vetëm bojkot, por edhe akte sabotimi të ndeshjeve të kësaj skuadre, duke deklaruar se nuk do lejojnë askënd të luajë nën fanellën Partizani pa pasur edhe miratimin e tyre. E rrallë në botën e sportit, por gjëja më normale për atë që ka lindur dhe është rritur në Shqipëri.

Risia Kamza Nëse u morëm me Partizanin besojmë se është gjëja më normale të merremi me skuadrën që ka më shumë tifozë në Shqipëri dhe është 15 herë kampione e vendit. Por raste ka sa të duash. I fundit dhe më i freskëti. Kush do e përfaqësojë Kamzën. Dikur kanë qenë bashkë si kryetari i Bashkisë Xhelal Mziu dhe donatori president, Naim Qarri. Sot nuk janë më. Bashkia nga ana e saj mendon të ngrejë skuadrën e vet e ta prezantojë të hënën, ndërkohë që presidenti Qarri ka nisur dhe ka emëruar trajnerin Malko. Kryebashkiaku ka deklaruar se do të prezantojë Kamzën e vërtetë, ndërkohë që ka dhënë urdhër që askush të mos stërvitet në fushat që i takojnë Bashkisë.  E Kamza e Malkos duhet të bredhë, ose duhet të presë edhe Kamzën tjetër, atë të Bashkisë e trajnerit që ajo do e caktojë. E në fund, pasi bëmë gjithë këto radhë, na duket se i bëmë kot. Kjo sepse në Shqipëri edhe pse ligjet janë askush nuk do, ose nuk ka dëshirë ti zbatojë. Në kohën e këtij shkrimi më mjaftuan vitet e dikurshme të pluralizmit, kur kishim vetëm 3-4 parti për të bë një paralelizëm. Parti me nga një kryetar dhe një nënkryetar, të cilat për 5 vjet u bënë 25. Kryetari mori Partinë e vet, nënkryetari u nda dhe mori tjetrën, sekretari i përgjithshëm një tjetër e papritur edhe pse kanë një sigël janë në kahe të ndryshme. E tmerrshme, por të paktën në futboll të mos ndodhë. Kishim një Parti Balli Kombëtar, u poll edhe një tjetër Balli Kombëtar Demokrat. Uroj që të paktën të mos ketë një skuadër Partizani dhe një tjetër Partizani Demokrat. Kishim një Parti Demokratike dhe lindi disa të tjera resht si Partia Demokratike e Re, apo Fronti i Ri Demokratik. Uroj që te mos kemi nje skuadër si Kamza e Re, apo Kamza e re Demoktarike. Kishim një Parti Socialiste, e cila polli PSV 91, uroj të mos kemi Partizan PSV 2012. Kjo sepse të mësuar nga politika edhe futbolli ka mësuar, madje shume. Në fund besoj se tani topin në dorë e ka federata e futbollit, e cila të paktën një herë duhet të flasë e të flasë me gjuhën e ligjit dhe asaj që ajo e ka quajtur e kërkuar prej kohësh, Fair Play financiar. Të vendosë pikat mbi i e të deklarojë hapur se kujt i takon vërtet Partizani. Kamza e natyrisht edhe të tjerat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›