E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët duan të dhurojnë gjak pas tragjedisë

Janë rikthyer dje në shtëpinë e "Big Brother"-it të 13 banorët, të cilët, pas shpërthimeve tragjike në fshatin Gërdec pranë Vorës, u evakuuan menjëherë, duke u dërguar drejt një hoteli. "Top Channel" transmetoi dje pamje nga momentet e dy shpërthimeve se si ishin përjetuar nga banorët. Në momentin e parë, ata ishin në një prej dhomave të gjumit dhe porsa ndodhi shpërthimi, një prej tyre klithi e së bashku me të tjerët, u sul drejt derës, i përfshirë nga paniku. Po kështu, edhe në shpërthimin e dytë, i cili ishte më i fuqishëm. Ata ishin të ulur jashtë, kur nga goditja e fortë dhe presioni i ajrit, banorët u tronditën dhe rendën drejt daljes, duke harruar që ishin në një lojë dhe të izoluar. Menjëherë, stafi i programit i ka marrë ata me disa makina, duke i transferuar drejt një hoteli, por pa ua bërë të qartë se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Nga pamjet e transmetuara në "Top Channel" është parë qartë tronditja dhe paniku i tyre, duke qenë se shtëpia e "Big Brother"-it ndodhet 500 metra larg fshatit Gërdec në vijë ajrore. Pas 24 orësh, banorët janë rikthyer në shtëpi. Pas përfundimit edhe të disa meremetimeve, ata janë marrë nga hoteli ku ishin akomoduar përkohësisht dhe janë futur sërish për të vazhduar lojën. Atyre gjithashtu u është thënë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.

Kështu, banorët e shtëpisë "Big Brother" kanë vendosur që të dhurojnë gjak për viktimat e tragjedisë së Gërdecit. Ata pranojnë që në shtëpinë e tyre të vijnë bluzat e bardha me qëllim që edhe ata të kontribuojnë për viktimat e tragjedisë. Kësaj nisme nuk mund t‘i bashkohen për arsye shëndetësore Nardi dhe Juli, si dhe për shkak të tatuazheve, Nada dhe Poli. Ndërkohë, diskutimet janë shoqëruar edhe me batuta rreth grupeve të gjakut të banorëve. Olsi i thotë Nadës se ata të dy janë me grup gjaku qejfli. Ndërkohë banorëve u është futur brenda lista e ushqimeve për buxhetin e javës që vjen. Buxheti i kësaj jave do të jetë i plotë.

Banorët janë dukur të lumtur nga hyrja sërish në shtëpi. Ata janë futur në të gjitha ambientet e shtëpisë, ku loja do të vazhdojë. Frika ka marrë fund dhe të gjithë janë gati ta nisin aty ku e lanë. Ata kanë mall edhe për njëri-tjetrin, për jetesën në të njëjtën çati. Julinda duket se nuk e ka pritur mirë rihyrjen në shtëpi. Ajo ka qarë me fotot e familjarëve në duar. Të tjerët i qëndrojnë pranë dhe i japin zemër.

Të gjithë janë mobilizuar në pastrimin e shtëpisë. "Përgjegjësi i pulave", Çimi, nuk e ka harruar detyrën dhe sapo ka hyrë në shtëpi është marrë me përkujdesjen ndaj tyre. Ndërsa të tjerët kanë ndarë detyrat për pastrimin e shtëpisë. Olsi dhe Nada kanë larë enët së bashku.

Julinda është e mërzitur për të dashurin e saj. Ajo i tregon Shkëlqimit dhe Leonardit se ai është shumë xheloz dhe për këtë i është dashur të heqë dorë nga shumë gjëra. Sipas saj këtu në shtëpi është ndryshe, por ka frikë se i dashuri i saj nuk ka për ta kuptuar. Juli kërkon një shenjë nga i dashuri i saj, ku t‘i tregojë se nuk është mërzitur me të. Shkëlqimi mundohet ta ngushëllojë dhe i thotë se i dashuri i saj duhet ta pranojë siç është, nëse e do.

Të mbështjellë nga ledhatimet, Olsi dhe Nada, nuk janë bërë pjesë e diskutimeve për buxhetin e javës. Ata janë në të njëjtin ambient me të tjerët, por qëndrojnë mes tyre të përqafuar. Olsi i thotë Najadës me zë të ulët se ka nevojë për bojë flokësh dhe do shkojë të kërkojë në konfensional. Nada qesh dhe i thotë atij të shkojë sa më shpejt se po i dalin thinjat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›