E Shtunë, 31 Tetor 2026

"E vrava unë autorin e ‘Princi i Vogël‘"

Më 31 korrik të vitit 1944, Horst Ripert patrullonte qiellin mbi Tolonë në kuotë të konsiderueshme me avionin e tipit "Messerschmitt". Fluturonte i vetëm në pritje të ndonjë preje të rastësishme e jo të vetëdijshme për rrezikun. Dëgjoheshin fjalë alarmuese, se aleatët, pas Normandisë, planifikonin hapjen e një fronti të dytë përmes një zbarkimi në Provancë dhe në fakt prej disa javësh qenë shtuar përleshjet me mjetet ajrore armike që gjithnjë e më shpesh kryenin operacione zbulimi. Përbënin pre shumë të lehta për një vrasës si Ripert: avionë të ngadaltë, të armatosur lehtë, viktima ideale për pilotët gjermanë.

Ripert, atëherë 25-vjeçar, prej kohësh gëzonte famën e asit të dueleve ajrore. Ndoshta jo në nivelin e Adolf Galangut, që krenohej me 100 duelet e fituara - i njohur si "akrobati i cirkut të Hitlerit" - por tepër i aftë, guximtar, i vendosur, mjeshtër i taktikave të luftimit. E të mendosh që për shumë muaj nuk e kishin lejuar të fluturonte: qarkullonin zëra se ndër vena nuk i rridhte gjak arian, por hebre, i trashëguar nga gjyshërit rusë. U desh ndërhyrja e komandantit të skuadrës së tij, një legjendë e "Luftwaffe", i cili u shpjegoi shefave të mëdhenj se pak aviatorë gjermanë zotëronin aftësi kaq të shkëlqyera. Edhe vetë Geringu në fund kërkoi falje për gabimin. Një fenomen i aviacionit që mbahej në tokë e nuk lejohej të fluturonte: absurde!

E pa papritmas t‘ia behte nga retë e dendura, me drejtim nga Marseja, me një avion të tipit "Lightning P-38", i zbukuruar me ngjyrat e Francës së lirë, një "Mosquito", siç e quanin pilotët aleatë, të dashuruar pas atij avioni të përsosur për misionet sekrete të zbulimit. Fluturonte i pandërgjegjshëm për rrezikun në kuotë shumë të ulët, jo më shumë se 2 mijë metra dhe me zigzage të gjera. Shihej qartë se ishte duke kryer një mision zbulimi. "Djalosh i dashur, po tregohesh paksa i pakujdesshëm dhe nëse nuk zhdukesh që tani, do të të rrëzoj", mendoi Ripert, teksa manovronte për t‘iu vënë pas bishtit. Por avioni vazhdonte detyrën e vet pa dhënë asnjë shenjë alarmi. "Iu hodha pas dhe qëllova, jo trupin e avionit, por krahët", rrëfen tani Ripert. "Drejt e në shenjë. Zinku shpërtheu, ndërsa ai drejt e në det. Askush nuk u hodh me parashutë, askush në sipërfaqen e trazuar nga dallgët".

Në aeroportin e Korsikës baza aleate nga ku avioni qe ngritur në mëngjes la të kalonin disa në pritje të pilotëve të nisur për misione zbulimi. Pritja zgjati deri në orën 14:30. Pas kësaj, një prej oficerëve shkroi në librin e fluturimeve formulën rituale: "Pilot did not return and is presumed lost" (Piloti nuk u kthye dhe mendohet se mund të ketë humbur). Nuk ishte hera e parë që shkruhej kjo frazë dhe nuk do të qe as e fundit: gjë më se normale në atë konflikt të tmerrshëm. Vetëm se piloti që nuk qe kthyer në bazë, nuk ishte i çfarëdoshëm: quhej Antuan Dë Sen-Ekzuberi, autori i veprave "Vol de nuit" e "Pilote de guerre", njeriu të cilin Mopasani e kishte cilësuar si Promete.

Në bazën gjermane përgjoheshin frekuencat franceze. Mësuan menjëherë përmes komunikimeve se piloti i madh ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Riperti dhe shokët e tjerë të skuadrës i lidhën dy episodet, nuhatën që "Mosquito" i rrëzuar dhe avioni që francezët e jepnin për të humbur mund të qe i njëjti. "Në mënyrë absurde shpresoja dhe vazhdoj të shpresoj edhe sot që mbi atë avion të mos qe ai. Në shkollë i kishim adhuruar librat e tij. Kishim ëndërruar falë aventurave të tij në hemisferën jugore. Marroseshim për mënyrën si përshkruante qiellin, frikat dhe emocionet e pilotëve. Falë leximit të veprave të tij, shumë prej nesh ishin përfshirë kokë e këmbë nga pasioni për fluturimin. Po ta dija se mbi atë avion gjendej ai, betohem se nuk do kisha qëlluar. Nuk do kisha kursyer askënd, por atij nuk do i kisha qëlluar kurrsesi".

Ishin motive të tilla ato që i shtynë pilotët e rinj gjermanë që në atë ditë të vitit 1944 të vendosnin bashkërisht që ta mbanin tragjedinë sekret. Askush nuk duhet të mësonte se një prej tyre kishte rrëzuar poetin e qiellit dhe bashkë me të edhe një pjesë të vetvetes.

Rrethanat e vdekjes së Dë Sen-Ekzuberisë mbetën mister: i rënë mbi Alpe për shkak të ndonjë defekti, i goditur nga avionët armiq, i vetëvrarë, i gëlltitur nga heshtja e plotë. Siç shkroi një tjetër penë e madhe franceze: I humbur në një fluturim të pafund. Dhe gjërat mbetën kështu për shumë kohë, madje edhe pas gjetjes së mbetjeve të avionit, të cilat u nxorën nga fundi i detit për t‘u vendosur në një muze.

Për të zbuluar të vërtetën, dy historianë, Zhak Padel dhe Luk Vanrel, ndoqën pistën e të mbijetuarve nga kompania luftarake gjermane, të cilëve iu paraqitën si autorë të një libri mbi avionin gjerman "Messerschmitt". E megjithatë nuk ia dolën ta thyenin paktin e heshtjes së plotë mbi këtë ngjarje. Deri në çastin kur 88-vjeçari Horst Ripert vendosi të rrëfente: "Mjaft kërkuat të vërtetën mbi vdekjen e Dë Sen-Ekzuberisë. E rrëzova unë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›