Çne në Gërdec Enver Hoxha?!...
• Martin LekaDuke bërë bilancin e tragjedisë së Gërdecit, mediat dhe opinionet janë vënë në një "garë" të ethshme për të gjetur përgjegjësit. Politika nga ana tjetër u duk mjaft e vetëpërmbajtur, duke respektuar një kod "të rremë" etike, kod të cilit, mbase që sot, do t'i bien të gjithë "nenet"…! Dhe politika do të kalojë në "origjinë". Kjo ndodh sepse në këtë vend, gjërat harrohen shpejt. Të mirat po e po, por e keqja është se në këtë vend harrohen kaq shpejt të këqijat. Dhe pikërisht nga kjo harresë, ne vazhdojmë ta pësojmë në mënyrë periodike, diku me dëme të vogla, diku me fatkeqësi natyrore, diku me tragjedi që lindin nga varkëtarë dhe deri tek kjo e fundit, tragjedi në formë krateri…Eshtë shumë e ndjeshme dhe po kaq e vështirë të lëndosh dikë në raste të tilla fatkeqësish, por po kaq e arsyeshme dhe e qenësishme të duket obligimi për t'i thënë të vërtetat me të gjithë forcën dhe besimin.Dy politikanë shqiptarë kanë qenë të drejtpërdrejtë dje: Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe lideri i LSI-së, Ilir Meta. I pari këmbënguli në gjetjen e shpejtë të shkaktarëve e përgjegjësve për tragjedinë e Gërdecit dhe kërkoi që përgjegjësit të përballonin edhe koston e dëmshpërblimeve. Toni me të cilin foli dje Presidenti Topi nuk linte shteg për ekuivoke se dikush duhet të përgjigjet për këtë tragjedi, ashtu siç me të drejtë nuk kishte në deklarimin e tij shenja të rënies së përgjegjësisë për efekt të tragjedisë dhe dramacitetit të saj. Edhe Ilir Meta i kishte lënë mënjanë emocionet që shkakton natyrshëm një tragjedi e këtyre përmasave dhe deklaroi në mënyrë të drejtpërdrejtë se, përgjegjësit kryesorë duhen kërkuar tek qeveria dhe tek kryeministri Berisha. I përmendëm këto dy raste për të treguar se duhet dalë shpejt nga gjendja shokante e tragjedisë dhe të paktën duhen kërkuar, përveç përgjegjësisë ligjore nga organet e specializuara të drejtësisë, edhe përgjegjësit politikë e moralë. Sepse duke e tepruar me të qenit "të kujdesshëm", ndoshta kjo do të rezultonte psikologjikisht negative për mijëra njerëz që kërkojnë vetëm drejtësi. E themi këtë edhe nga fakti se kemi dëgjuar plot raste në botën perëndimore ku zyrtarë të lartë e mjaft të lartë, kanë dhënë dorëheqjen edhe për shembje urash të ndërtuara ndoshta kur ata ende nuk kishin lindur…***Dje ka pasur plot diskutime e debate, madje gjer nervoze për rastin e tragjedisë së Gërdecit. Kudo, në tribuna formale apo informale, është trajtuar gjerësisht, sipas mënyrës së gjithsecilit, drama me emrin Gërdec. Në morinë e dhjetëra opinioneve, ndokush e gjen fajtorin larg në kohë. "Po vuajmë çmendurinë militare të Enver Hoxhës", thonë disa. Që militarizmi ishte një pjesë e rëndësishme e "krenarisë" së sistemit komunist të Hoxhës, kjo është e padiskutueshme. Por, e thënë në këtë mënyrë kaq të vrazhdë, e thënë vetëm pas ndodhjes së tragjedisë, kjo të duket jo vetëm sofizëm, por edhe qesharake. Komunizmi nuk do të ishte i tillë po të mos ishte militar. Po të mos ishte militar, nuk do të ishte vrastar i mendjeve dhe ëndrrave për liri e demokraci. Ta kërkosh sot përgjegjësinë tek komunizmi dhe regjimi i kaluar pas afro dy dekadash, të duket mënyra më e keqe e mbrojtjes dhe alibia më e pabesueshme e fajtorit. Eshtë edhe lëndimi më i madh për të gjithë viktimat, për të gjithë familjarët e tyre dhe të afërmit, për të gjithë ata qindra e mijëra që u prekën nga tragjedia dhe për të gjithë opinionin mbarë.