Dukati, i zoti i Karaburunit
Pranvera ka vendosur "të luajë" ca
me Vlorën. Dielli herë shfaqet i
plotë, duke ia thelluar edhe më
blunë detit të Gjirit të Vlorës, herë fshihet
pas disa reve të errëta që mbërrijnë
andej nga ana e Karaburunit. PaS
një kafeje të shpejtë në Vlorë marrim
udhën që vazhdon në anë të detit.
Kalojmë me radhë ndërtesat e
plazheve të mrekullueshëm që, në
këtë ditë gjysmëpranverore na duken
çuditërisht edhe më të bukur në vetminë
e tyre. Makinat që kalojnë janë të
pakta. Asgjë nuk pipëtin. Vetëm ndonjë
murator hokatar, që bën shaka me
shokët në ngrehinat e reja ende të papërfunduara,
e prish qetësinë në
rrugën mes detit dhe agrumeve. Brenda
pak minutash jemi në skaj të Orikumit,
atje ku rruga ndahet në tre: drejt
qytetit, drejt Tragjasit dhe drejt Llogarasë.
Ne marrim drejtimin e tretë. Jemi
nisur për në Dukatin Mal, një fshat i
mbushur plot me histori.
Te xha Lluka
Periferia e Orikumit është shndërruar
brenda pak viteve në një miniqytet.
Vila, ndërtime të çdo lloji, magazina,
pika karburanti, hotele të mëdhenj
e të vegjël, lokale që presin me
durim turistët e beharit… të gjitha këto
përzihen me siluetat hijerënda të disa
pallateve shumëkatëshe që shohin
direkt nga deti. Në shpinë të Orikumit
ngrihet madhështor, i rrethuar nga një
kurorë resh të bardha, ai vetë, Karaburuni,
gadishulli gjigant i Shqipërisë.
Neve na duket se pas detit është pikërisht
ai zoti i vërtetë i këtij vendi. Vetëm
pak më vonë do të mësojmë se ka
ndodhur pikërisht e kundërta. Janë
këta njerëz zotërit e tij të vërtetë. Të
paktën në letra. Por që ta mësojmë
këtë do të na duhet më parë të gjejmë
shtëpinë e Llukë Gjikokës. Në Vlorë na
kishin thënë se ai është njëri nga njohësit
më të mirë të krejt zonës.
Xha Llukën e gjejmë shpejt në shtëpinë
e tij në anë të rrugës kryesore.
"Do ta nisim me një raki në fillim e
me historitë pastaj, apo e doni ndryshe,
me historitë në fillim e me rakinë
në fund?" - bën shaka xha Lluka. Eshtë
një plak i imët e i shkathët që nuk
rri dot asnjë minutë në një vend. Ne
na bën çudi kur na thotë moshën e tij:
Eshtë 88 vjeç. Sikur të mos e dinim
nuk do t‘i kishim dhënë më shumë se
65 vjet. "I kam ore, i kam", krenohet
plaku i qeshur, baba i 8 fëmijëve".
Ka ardhur koha të flasim ca për
punë. "Unë kam lindur atje poshtë në
Dukatin Mal - nis të flasë xha Lluka,
që më në fund ka zënë vend - kam
qenë punëtor gjithë jetën, para 22
vjetësh kam dalë në pension. Puna
ime e fundit ishte në një nyje inertesh.
Kam qenë partizan dhe mund të bëja
edhe më përpara. Por një kushëriri im
bashkë me ca të tjerë u arratis për në
Perëndim me një nëndetëse dhe që
prej asaj kohe nuk më shihnin fort me
sy të mirë. Megjithatë, ato kohë ashtu
ishin…".
Ta nisim me historitë e vjetra apo
do të na flasësh ca për ato punët e
pronave? - Pyesim ne. "Hëm, - plaku
bëhet befas shumë serioz, - ta dini ju
se kam qenë partizan dhe mund të
bëja edhe më përpara. E gjithë kjo
fushë që shikoni që këtu e deri fare
përtej është pronë e jona e Dukatit,
kullotat në Karaburun i kemi pasur
pronë të fshatit. Eshtë një hapësirë
shumë e madhe. Nuk besoj të ketë fshat
tjetër në Shqipëri që të ketë prona
kaq të shtrira. Unë vetë i kam marrë
shumë nga të miat, kam edhe ca të
tjera, por nuk do të vdes pa i marrë
edhe ato". Xha Lluka ka ndenjur ca si
shumë në një vend. Shpejton diku në
një kthinë nga ku kthehet me disa
dosje të mbajtura me kujdes. "Ja more
djem, shikoni se si i kam letrat", thotë
ai dhe na vë përpara një mal me letra
që vijnë që nga koha e Zogut e deri te
komisioni i famshëm i kthimit të
pronave. "Jo vetëm ka zgjidhur të vetat
- ndërhyn Adi Dervishi, dhëndri i tij
dhe miku ynë i vjetër - por ka dhënë
edhe dëshmi për të tjerët, mbi 50
dëshmi të tijat i kanë ndihmuar bashkëfshatarët
për të ndarë tokën. Eshtë
bërë si kompjuter. I mban mend sinoret
përmendesh: ku janë të filanit a
të filanit, me kë kufizohen, si janë
ndarë më përpara. Të tëra. Në fakt, ky
më duket mua kryeplaku i vërtetë i
fshatit". Ndërsa ne flasim, Xha Lluka
me këtë rast i shfleton edhe një herë
letrat e tij të mbushura me vula noterësh.
Duket sheshit se ato janë një
nga dashuritë e tij më të mëdha.
"Po ndonjë histori të vjetër xha
Llukë?" - këmbëngulim ne. "Po ashtu
kemi plot neve - kujtohet plaku -
familja jonë, neve kemi qenë shtatë
fëmijë, origjinën e kemi nga dy
vëllezërit Neço dhe Pilo Andoni. Jemi
nga pjesa e kësaj krahine që nuk pranoi
të ndryshojë fenë. Të parët tanë
kanë vuajtur shumë, sidomos në kohën
e Ali Pashë Tepelenës kur gjurmoheshin
në çdo rast nga koshadhet
e turkut. Pilo Andoni ka qenë nga
krerët e krahinës. Ende rrëfehet historia
e duelit të tij me Lab Çapon, edhe
ky një nga krerët e krahinës. Meqë
çobanët e të dyja palëve u vranë me
njëri-tjetrin, atëherë Pilua e ftoi Labin
në dyluftim. Ishte një dyluftim si
qëmoti, si ato që ju shikoni ndër filma,
me jatagan mbi kalë. Në duel fitoi
Pilua. Lufta u ndërpre, sikurse ishte
zakoni asokohe vetëm duke lidhur
krushqi. Pilua e pranoi krushqinë me
fisin kundërshtar dhe kështu gjakderdhja
u mbyll. Pilo dhe tre të tjerë nga
paria jonë janë burgosur në 1905-ën
dhe janë mbajtur tre vjet në Burgun e
Beratit. U liruan vetëm në 1908-ën,
kur u shpall Kushtetuta e xhonturqve.
Po këto anët tona, kështu janë të
mbushura me histori, kush nuk ka
dashur të kalojë këtej, greku, italiani…
Me të gjithë është luftuar. Gjyshi
im vdiq në Sardenjë në 1918-ën,
ishte atje i internuar nga italianët si
kundërshtar i tyre. Kur të vemi në fshat
mbase flasim ca më gjatë".
Bashkë me xha Llukën nisemi për
në fshatin e tij të lindjes. Retë që peshojnë
mbi kreshtën e Karaburunit
sikur janë shtuar ca si tepër. Ndërsa
ecim përkrah Dukatit Fushë, xha Lluka
seç pëshpërit disa fjalë nëpër
dhëmbë, prej të cilave dallojmë
vetëm: "…duhej bërë më mirë".
Dukati Fshat, i vendosur krejt në anë
të Karaburunit është një fshat i ri, i
ndërtuar mbi tokat e dukatasve, të
cilat më parë përdoreshin për bujqësi.
Fshati është goxha i madh dhe i
shtrirë përgjatë anës së xhadesë.
Ndërsa makina udhëton ngadalë
përgjatë rrugës së drejtë, plaku
nuk i heq sytë nga rrëza e malit.
Me siguri i kujtohet edhe një
herë lista e gjatë: Këtu janë
tokat e filanit, këtu të atij
tjetrit. Më në fund bën
me dorë nga një grup
pemësh në fushë. "Ja -
na thotë me krenari të
dukshme - këtu nisin
tokat e fshatit e
mbarojnë tutje në det".
Gurët e
rrokullisur
Njëqind e dy vjet më
parë, në një dimër që me siguri
ka qenë më i ftohtë se sa
këta që mbajnë në kohët tona,
Eqrem bej Vlora, një udhëtar
e studiues i shkëlqyer, mik i
dukatasve, pati "bërë konak" në
një nga shtëpitë e parisë së këtushme.
Nga larg fshati i ishte
dukur i bukur e i "shëndetshëm",
sikurse shkruan ai në kujtimet
e veta brilante. Por
nga afër kjo ndjesi
kishte "humbur
shumë
nga ajo e
p a r a " .
M b a s e
j e m i
ndikuar ca nga ai libër i lexuar që prej
shumë kohësh, por edhe neve dashur
pa dashur provojmë të njëjtën ndjenjë
që kurse na shfaqen shtëpitë e para
të fshatit që zbresin nga lart shkëmbit
drejt përroit.
Eshtë kohë dreke dhe fshati është i
heshtur. Vetëm disa burra bisedojnë
me zjarr me nga një gotë raki përpara.
Shumë nga dukatasit punët i kanë në
pjesën e fushës apo në Vlorë. Shtëpitë
e malit presin vetëm nga të ardhurat
që vijnë nga fusha. Dy rrepe në meS
të fshatit na kujtojnë se këtu jemi në
qendrën tradicionale. Busti i madh i
një gruaje me armë në dorë, dikur
krejt i bardhë, është pluhurosur ca.
Eshtë një nga krenaritë e fshatit,
Sado Koshena, e shpallur
Heroinë e Popullit. Pikërisht
kjo grua, e cila ka marrë
pjesë në luftërat e Pavarësisë
dhe të 1920-
ës u pat thënë një
herë burrave që
ngurronin të merrnin
armët: Po shkoj
vetë në luftë. Dhe u nis e para. Heroina
kaloi një sërë luftërash, por pati
jetën më të gjatë se të gjithë heronjtë
e tjerë të Shqipërisë. Vdiq 100 vjeçe.
"Këtij po që i thonë fat në jetë. Të
kalosh luftëra dhe të rrosh 100 vjet!"
Ca metra më tej një tjetër lapidar kujton
Pilo Andonin dhe tre të tjerët nga
paria, të cilët u burgosën nga turqit për
shkollën shqipe.
Në një nga lokalet na bën përshtypje
fotografia e madhe e një burri
hijerëndë të veshur me qillota dhe me
uniformë gjysmëushtarake. "Eshtë
gjyshi im, Maliq Koshena", bën me
shenjë Çezari, i zoti i lokalit. "Ky po që
ka qenë burrë", flet xha Lluka dhe
pastaj shton: "Desh harrova t‘ju them
një histori tjetër. Kjo ka ndodhur në
dhjetorin e 1943-shit. Ju e dini se e
gjithë kjo zonë ka qenë e përfshirë nga
luftime të ashpra. Ca me gjermanë e
ca shqiptarë me shqiptarë. Në njërën
prej këtyre ditëve shumë forca partizane
kanë mbërritur në fshat, duke
kërkuar që të mos strehonim nacionalistët
dhe duke kërkuar djem për
ushtrinë e tyre. Forcat i komandonte
Hysni Kapo. Meqenëse fshati ka pasur
gjithnjë një qëndrim të rezervuar,
atëherë ata kanë kaluar në reprezalje.
I mbaj mend vetë kur kanë depërtuar
në përroin e fshatit. Atëherë kanë
pushkatuar shumë djem nga fshati.
Të tjerë janë vrarë duke
luftuar me partizanët. Ka
qenë një ngjarje shumë e
rëndë dhe shija e saj e
hidhur nuk u zhduk për
shumë kohë. Sikur të moS
ishte ky burrë, Maliqi, do të
qe bërë batërdija. Ky ndërhyri
për të qetësuar
gjakrat. Që nga ajo kohë
neve na quanin si "ballistë".
Ndërkohë kemi njohur Zihni Xhemalajn,
i cili na propozon një shëtitje
nëpër fshat. Ndërsa ecim me Zihniun
rrugëve të fshatit na bëjnë përshtypje
gurët e rrokullisur ngado. Nga shtëpitë
e braktisura, nga rrëpirat, rreth rrepeve,
në anë të shtëpive… Kudo shohim
gurë. Një grup pulash bën mund të gjejë
pak ushqim në një grumbull të madh
gurësh që uji një rrëke i ka grumbulluar
në anë të rrugës këmbësore.
Atëherë na kujtohet ajo historia e
vjetër: Këtu ha pula gurë… Zihniu është
një nga ata që u pëlqen të lëvizin
kundër rrymës. Ndërsa shumë janë
larguar nga fshati, ai ka bërë të
kundërtën, ka ardhur nga fusha në fshat.
I lindur në Tiranë, i rritur në Lushnjë,
më pas oficer në disa krahina të
Shqipërisë thotë se tashmë i përket
krejt vendit, por "kam ardhur këtu të
plotësoj një amanet të gjyshes. Ajo
donte që shtëpia jonë e vjetër të
rindërtohej se s‘bën. Kështu jam vendosur
këtu dhe po e rindërtoj shtëpinë
e gurtë të të parëve, të ndërtuar njëqind
e sa vjet më parë". Nëpër gurët e
rrokullisur tashmë nuk jemi të vetmit.
Edhe disa gra që kanë bërë pazarin e
përditshëm shpejtojnë të mos i zërë
nata nëpër rrëpirat e fshatit. Dy plaka
me veshje tipike të zonës na përshëndesin
me dashamirësi. Duket
sikur vijnë nga një kohë tjetër, nga koha
e Pilo Andonit apo e Sado Koshenës.
Ecin duke u lëkundur me një ritëm të
ngadaltë, por të vendosur, as shpejtojnë
as ecin ngadalë, njësoj sikur ta
dinë që prej kohësh se si do të jetë nata
e sotme, dita e nesërme dhe ditët që
do të vijnë.
Me Zihniun kemi mbërritur në
lagjen e sipërme. Përballë nesh një
kullë e rëndë prej guri na i kujton edhe
një herë ato historitë e vjetra. Eshtë
shtëpia e Dervish Aliut e shekullit XVIII.
Ky ishte një prijës i krahinës në
kundërshtimin e armatosur ndaj Tanzimatit.
Kulla është e heshtur, po kështu
edhe disa shtëpi të vjetra rreth saj.
Vetëm një plakë qëndron e palëvizur
poshtë një pjergulle. Duket sikur ka
ngrirë bashkë me mendimet e saj.
Kush e di se çfarë po rrotullon në kokë
në këto momente: fëmijët që janë larg,
njerëzit që nuk janë më, si do ta kalojë
heshtjen e thellë që do ta mbulojë fshatin
gjatë natës?
Në shesh ndahemi me miqtë tanë.
Zihniu u jep porositë e fundit muratorëve
që po kthehen në shtëpitë e tyre
në fushë. Bardhësia e monumentit të
Sado Koshenës pak nga pak bëhet e
vetmja gjë e bardhë në natën ku po
zhytet pak e nga pak i tërë fshati.
Një dervish "parashutist" në ditë pazari
Në dimrin e 1906-ës Eqrem bej
Vlora, pinjoll i famshëm i të parëve
të Vlorës bëri një udhëtim të gjatë
në shumë krahina të Jugut. Në të
kthyer kaloi një natë në Dukat. Më
poshtë kemi shkëputur një pjesë
nga kujtimet e tij.
"…Aty në të errur ne mbrrimë në
Dukat dhe u ndamë për të bujtur
në tri nga shtëpitë e parësisë (të
Halit Selmanit, të Pilo Andonit dhe
të Ymer Çelos). Unë vajta te Hamit
aga, ku dhe u mblodhëm të gjithë
për darkë. Për banorët e Dukatit
unë kisha një simpati të veçantë.
Ata kishin qenë gjithnjë pasueS
besnikë të familjes sonë.
Historia e trevës Erikua (ku hyjnë
fshatrat Dukat, Tragjas dhe Radhimë)
është tejet interesante,
qoftë nga ana historike, qoftë nga
ajo ekonomike dhe shoqërore. Kur
në 1417 turqit pushtuan Vlorën dhe
krahinën e saj, i gjetën ato dhe
banorët e tyre në marrëdhënie
pronësie dhe varësie private. Ata
e lanë të paprekur këtë status, siç
ndodhte shpesh në historinë osmane,
dhe vetëm sa i dhanë këtij
statusi një formulim të ri juridik.
Në vitin 1480 kjo trevë iu dhurua,
në formë arpallëku, sanxhkbeut të
sapoemëruar të Vlorës Gjergju Sinan
Pashës (Vlora). Dhe ajo mbeti
pronë e familjes Vlora deri në vitin
1860 kur iu mor, së bashku me të
dhjetën e 61 kullotave të tjera në Labëri,
me dekretin për heqjen e të
drejtave feudale…
…Këta 450 vjet marrëdhenie me
familjen Vlora, banorët e Dukatit nuk
i harruan kurrë dhe i qëndruan asaj
gjithmonë besnikë, për më tepër ata
shërbyen pothuajse pandërprerje si
trupruajtës (sejmenë) të kësaj shtëpie.
Po kështu para, 80 vjetëve,
gjatë një zënke të rreptë në sarajet e
Vlorajve, për pronësinë mbi kullotat
e bashkisë, një dukatas me emrin
Mete, i shpëtoi jetën babait të Ismail
Qemal Vlorës, Mahmut beut, duke
shtyrë me dorë koburen që Fejzo
Xhafa ia kishte drejtuar beut.
Dukati ka një pozicion shumë të
bukur, vendosur në një luginë shumë
të ngushtë romantike sipër përroit të
rrëmbyer që quhet Lumi i Dukatit.
Nga larg shtëpitë e tij duken të
hijshme dhe të shëndosha, por kur
iu afrohesh më shumë, një pjesë e
kësaj mbrese davaritet. Nëntë pjesë
të banorëve janë myslimanë dhe një
pjesë e krishterë (2150 me 240). Për
islamizimin e tyre tregon një legjendë
e çuditshme. Se për çfarë kohe bën
fjalë ajo, vështirë të përcaktohet, sidomoS
kur mendon se edhe sot ka
raste, kur një anëtar i fisit është mysliman,
një tjetër i krishterë; kur mendon
më tej, se të krishterët e myslimanët
martoheshin me njëri-tjetrin
deri para 100 vjetëve, se edhe sot e
mbajnë veten të një gjaku, se festat
dhe mortet i bëjnë së bashku dhe
myslimani merr gjak për kushëririn
e krishterë dhe anasjelltas.
Nga të gjitha këto mund të nxirret
përfundimi se ilsamizimi mund të jetë
kryer andej nga mesi i shek. të 16-
të. Në popull tregohet kjo histori: ishte
ditë pazari dhe, si gjithmonë, në
Vlorë zbriti vetëm një numër i vogël
fshatarësh, sepse, si përherë, ata nuk
priteshin mirë atje. Ndërkaq, po atë
ditë, në Dukat vjen një Dervish i panjohur
që i mbledh banorët dhe u bën
thirrje të ktheheshin myslimanë.
Njerëzit ishin mbledhur poshtë, në
zallin e përroit. Ishte aty edhe prifti i
vendit. Gjatë debatit që u ndez midiS
dy klerikëve, hoxha deklaroi se
ishte gati ta dëshmonte me një provë
hyjnore epërsinë e besimit të vet.
Ai dhe prifti duhej të ngjiteshin
mbi një shkëmb (një shkrep rreth
40 metra mbi përrua, që edhe sot
e kësaj dite quhet "Shkëmbi i Hoxhës")
dhe prej andej të hidheshin
poshtë; feja e atij që do të mbetej
gjallë do të bëhej edhe feja e të
gjithë fshatarëve. Prifti qeshi me
këtë marrëzi dhe tha se Perëndia
nuk merret me njerëz të çmendur!
Por hoxha nuk u dha: ai u
mori premtimin të pranishmëve
se ata do të ktheheshin të gjithë
në fenë islame në rast se do të
ndodhte çudia që ai të mbetesh
gjallë. Pastaj u ngjit vetëm mbi
shkëmb, thirri "Allah" dhe u hodh
në humnerë. Me sa duket xhybja
e tij u hap si parashutë dhe i dha
mundësi atij të zbriste në zall
mengadalë e butë! Fshatarët e
Dukatit e mbajtën fjalën dhe u
kthyen të gjithë në fenë islame.
Ndërsa besimit të të parëve i
mbeti besnike vetëm ajo pjesë që
atë ditë qëlloi në Vlorë dhe nuk e
pa me sytë e saj çudinë e
ndodhur…".