E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitë: Gra dhe fëmijë, të punësuar te predhat

Gra dhe fëmijë janë të punësuar për shkarkimin, larjen dhe seleksionimin e predhave dhe municioneve të tjera në depot e armatimit të Gërdecit. Ndërkohë, municionet vinin me makinat e ushtrisë nga reparte të tjera të artilerisë së vendit, ndërsa banorët e Gërdecit kishin dëgjuar se aty do të vinin municione për t‘u çaktivizuar edhe nga Kosova. Në procesin e çaktivizimit të municioneve ishin përfshirë dhe shumë punonjës civilë, gra, të rinj dhe fëmijë të fshatit. Dëshmitë rrëqethëse vijnë nga të plagosurit që kanë mbërritur për mjekim në Spitalin e Durrësit pas mesditës së djeshme. Ata deklarojnë se vetëm për të siguruar të ardhura shumë banorë të zonës janë përfshirë në procesin e çminimit dhe çaktivizimit të municioneve. Janë kryesisht banorë të fshatit Gërdec dhe fshatrave pranë që janë punësuar me mëditje pranë depove të armatimit dhe paguheshin nga kompania amerikane që është kontraktuar për të drejtuar çaktivizimin e municioneve. Puna në këtë depo vazhdon prej afro dy vjetësh, sipas burimeve. Nazmie Domi nga Durrësi, me lot në sy, tregon për të motrën Aishe Halili nga Gërdeci dhe familjarët e saj që janë të plagosur dhe të humbur. "Gjynah, lajnë predha me gra e fëmijë, për 6-7 mijë lekë të vjetra në ditë. Natyrisht që do të ndodhte kjo që ndodhi", - thotë ajo e tronditur nga fatkeqësia që ka prekur njerëzit e saj, po dhe shumë të tjerë. Dëshmitë për të punësuar civilë, të cilëve u shfrytëzohet krahu i lirë për punën e rëndë dhe të rrezikshme, vijnë dhe nga të tjerë. Denis Muka, kamerieri 20- vjeçar nga fshati i depove është shumë i tronditur, por arrin të tregojë për atë që ndodhi në Gërdec, vendlindjen e tij. Ai thotë se depot janë të vendosura në vendin që njihet nga vendasit me emrin "Druri i bukur" dhe që dikur shërbente si brigadë tankesh. Më pas ai u kthye në depo të municioneve të artilerisë. "Ata që punojnë aty janë shumica gra, po ka dhe fëmijë 12-16 vjeçarë dhe të rinj. Predhat transportohen nga makinat e ushtrisë. Ato vinin nga depo të tjera dhe shkarkoheshin nga të punësuarit aty", - tregon Denisi. Të gjithë paguheshin nga kompania amerikane dhe punonin me tri turne, po jo të gjithë. Sipas të plagosurve dhe familjarëve të tyre, gratë dhe të miturit lajnë predhat dhe bëjnë seleksionimin e tyre, si dhe ndarjen në bazë të llojit. Pagesat e të punësuarve variojnë nga 600-3000 lekë në ditë në varësi të punës së bërë dhe kohëzgjatjes së saj. "Ata që punonin shumë merrnin deri në 30 mijë lekë të reja",- thotë Denisi. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk ishte i siguruar. Punonin në të zezë. Të paktën kështu dëshmojnë banorët e zonës. "Ata punojnë te depot prej dy vitesh dhe fillimisht e nisën punën me fishekë, për të vijuar me municionet e artilerisë së rëndë. Para 6 muajsh, pati një incident me fishekët. Morëm vesh se ndodhi gjatë nxjerrjes së barutit prej tyre", - vazhdon ai. Bronzi dhe baruti i nënshtrohen procesit të shitjes.

Gjatë fundjavave në depo, punohet normalisht, po prania e specialistëve është e pakët, çka mendohet të ketë shkaktuar edhe tragjedinë. Ashtu si dy vite të shkuara, në depot e Tepelenës, edhe këtë herë, një ditë fundjave, ka rezervuar tragjedinë e radhës, që vjen si pasojë e një vendi të militarizuar deri në dhëmbë gjatë një periudhe të kaluar, që ndëshkon sot për arsye që do të përcaktohen në ditët e ardhshme nga autoritetet përkatëse.

Ndërkaq, burime ushtarake bëjnë të ditur se në vend janë caktuar disa pika/depo për të bërë asgjësimin dhe ajo e Gërdecit është njëra prej tyre, për shkak të mundësisë për të mbajtur sasi municioni dhe kushteve për të bërë asgjësimin. Ndryshe nga shumë reparte, vendi ka një numër më të ulët të popullsisë përreth. Këtu predha zbërthehet e ndahet në pjesë, ndërsa ngjarja vuri në dukje mungesën e sigurisë brenda depove dhe jashtë tyre. Nuk dihet ende se sa është numri i grave dhe fëmijëve që humbën jetën dhe u plagosën në këtë fatkeqësi kombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›