E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në shok: "Hiroshima jonë"

Për të dytën ditë radhazi, mediat ndërkombëtare, të çdo cepi të botës, ato prestigjioze dhe më pak të tilla, i kanë kushtuar faqe apo minuta të tëra ngjarjes tragjike të Gërdecit. Do të na kishte pëlqyer ne shqiptarëve kjo vëmendje dhe interes i botës, por jo në kushte të tilla, jo me një çmim të tillë. Ajo që bie në sy, në kronikat televizive të kanaleve të njohura si "BBC", "CNN", "Euronews" etj., apo në faqet e të përditshmeve prestigjioze si "New York Times", "Uashington Post", "The Independent", "Guardian" etj., është një konfuzion në lidhje me numrin e viktimave të shpërthimit që tronditi Shqipërinë dhe jehoi madje edhe në vendet fqinje, Kosovë e Maqedoni. Sipas BBC-së, bilanci i viktimave në shpërthimin masiv është rritur, ndërkohë që kërkimet në vendngjarje vazhdojnë. 240 thekson televizioni britanik, janë të plagosurit, ndërkohë që citohet Kryeministri Sali Berisha, teksa thotë se bilanci mund të rëndohet akoma më shumë. BBC sjell edhe rrethanat e ngjarjes që tronditi Shqipërinë, shkaktoi dëme të jashtëzakonshme, përfshi edhe aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza", zhurma e së cilës u dëgjua edhe në kryeqytetin maqedonas, Shkup, që gjendet 170 kilometra larg Tiranës. BBC citon gjithashtu edhe Kryeministrin Berisha, që thekson se problemi i municioneve në Shqipëri është tepër i rëndë dhe përbën një kërcënim të qëndrueshëm. "Ka një sasi kolosale, të paimagjinueshme, që daton që prej 1945-ës", thekson Berisha. Baza ku ka ndodhur ky shpërthim i fundit ishte një pikë grumbullimi për një arsenal të mbledhur që nga koha e diktaturës dhe Shqipëria ka rreth 100 mijë tonë municione nëpër depot e shpërndara në të gjithë vendin. Ndërsa CNN saktëson se pesë trupa të pajetë janë gjendur të shtunën, pas shpërthimit, ndërsa katër të tjerë të dielën, duke e çuar shifrën e viktimave në nëntë. CNN thekson se zyrtarët e qeverisë ende nuk e kanë përcaktuar shkakun, por ata mendojnë se nuk bëhet fjalë për një akt të qëllimshëm. "Sipas zyrtarëve shqiptarë, programi për demolimin e municioneve mbikëqyrej nga një kompani amerikane me bazë në Karolinën e Jugut dhe ishte financuar nga një grant prej 30 milionë dollarësh nga qeveria amerikane", vijon më tej CNN. Sasia e municioneve, sipas televizionit prestigjioz, është e paqartë, por zyrtarë të qeverisë kanë thënë se janë demoluar deri më tani rreth 6 mijë tonë eksploziv. Agjencia e lajmeve "Reuters", sqaron se mijëra trupa të ushtrisë shqiptare kërkuan nën rrënoja të dielën për ndonjë të mbijetuar nga shpërthimi katastrofik i Gërdecit. Një reporter i "Reuters"-it në vendngjarje rrëfen se zona përreth ishte tërësisht e shkretuar paraditen e së dielës, ndërsa shpërthimi kishte shkaktuar një krater me diametër 50 metra dhe 20 metra të thellë. Në fshatin Gërdec, aty pranë, shkruan "Reuters", prej shtëpive kishin mbetur vetëm skeletet, ndërsa gjithçka tjetër ishte zhuritur. Mijëra predha të vogla dhe të mëdha, disa edhe të pashpërthyera, kishin mbushur zonën. Ndërkohë, në fotot dhe pamjet që kjo agjenci ofronte dje, shiheshin pula dhe qen të djegur nga shpërthimi. Ndërsa diku në mes, tre bunkerë të ndërtuar nga diktatori stalinist, Enver Hoxha, qëndronin ende të paprekur. "Reuters" ndalet edhe te vizita e Kryeministrit Sali Berisha në zonë, i cili apeloi për qetësi dhe siguroi banorët e evakuuar se përpjekjet për shpëtim nuk do të ndaleshin deri në gjetjen e të gjithë atyre që mungojnë në apel. "Shqipëria është përpjekur prej vitesh të asgjësojë municionet e shumta që i ka trashëguar nga koha e komunizmit, pasi ky është edhe një kusht për anëtarësimin e vendit në NATO. Ky vend shpreson të marrë një ftesë për anëtarësim në prill dhe Kryeministri Berisha beson se ambicia për bashkim me Aleancën e Atlantikut Verior nuk do të cenohet nga aksidenti i fundit", shkruan "Reuters". Disi më e çorientuar vjen britanikja "Guardian", shkrimi i së cilës për ngjarjen e Gërdecit mban titullin: "Druhet për 160 të vdekur në shpërthimin në Shqipëri". Sërish e pasaktë në informacion londinezja "Guardian", pasi shkruan se rreth 160 persona, shumica e të cilëve amerikanë, druhet se kanë mbetur të vdekur ose të plagosur si pasojë e shpërthimit në një bazë ushtarake në periferinë e Tiranës, kryeqytetit shqiptar. Edhe "The Independent", një tjetër gazetë britanike, shkruan se druhet edhe për viktima amerikane në shpërthimin e Gërdecit, kjo nisur nga fakti se kompania e kontraktuar për demolimin e municioneve, ishte amerikane. Gazeta, ndërkohë, përshkruan edhe tmerrin e njerëzve, shtëpitë e rrënuara, xhamat e thyer dhe predhat e shpërthyera në një distancë të konsiderueshme prej bazës së Gërdecit. Më e matur tregohet "New York Times". Gazeta bazohet në shifrat zyrtare të viktimave dhe përshkruan tmerrin e tronditjen në spitalet e Durrësit dhe Tiranës, të mbushura plot e për plot me të plagosur. "New York Times" thekson se vala e shpërthimit ka qenë aq e fuqishme, saqë ka marrë përpara gjithçka që shtrihej në një rreze të konsiderueshme, duke dëmtuar edhe makinat që kalonin në autostradën aty pranë. "Shpërthimet filluan pasi punëtorët po punonin për asgjësimin e disa municioneve të vjetra, që datonin që nga epoka staliniste e Shqipërisë", shkruan gazeta njujorkeze, që thekson më tej se ky është një kusht që i është vendosur vendit ballkanik për anëtarësimin në NATO. Ndërsa "Euronews" i ka rezervuar për të dytën ditë radhazi ngjarjes së Gërdecit, minutat e para të edicioneve të tij informative. "Shpërthimet në depozitën e armëve kanë vazhduar për 14 orë radhazi", thekson "Euronews", duke shtuar se shkaqet e tragjedisë që u kanë marrë jetën nëntë personave, janë ende të paqarta. Madje, sipas tij, edhe bilanci i viktimave mbetet provizor. "Euronews" thekson se operacionet e shpëtimit kanë rifilluar në orët e para të mëngjesit, pasi seria e gjatë e shpërthimeve u duk se mori fund. Kanali televiziv veçon edhe ndihmën që i ka ardhur Shqipërisë nga vendet fqinje, në veçanti nga forcat e NATO-s në Kosovën fqinje. "Të shtunën, skuadrat e shpëtimit nuk kishin mundur t‘i afroheshin depozitës, në të cilin në momentin e shpërthimit të parë gjendeshin rreth 110 punëtorë. Këta të fundit, të gjithë shqiptarë, punonin për një shoqëri amerikane "South Admission", e ngarkuar nga autoritetet e Tiranës për të deaktivizuar municionet e epokës komuniste. Gjatë shpërthimit, me mijëra predha janë përhapur në zonën përreth, që tani duhet të pastrohet. Në një rreze me diametër të madh ka shtëpi të shkatërruara dhe xhama të thyer", raporton "Euronews". Janë ndalur gjerësisht te tragjedia e Gërdecit edhe mediat e Italisë fqinje. "TGcom" sjell një galeri me foto rrëqethëse, ndërkohë në shkrimin me titull "Shpërthen depozita. Tiranë, kërkohen tani të mbijetuarit: Shkon në nëntë bilanci i viktimave" ndalet edhe te ndihma që qeveria italiane i ka ofruar Shqipërisë në këto momente të vështira. "Në Shqipëri ka nisur një garë me kohën", shkruan "TGcom", duke iu referuar operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit të njësive të ushtrisë në zonën përreth depozitës së armëve dhe municionit që shpërtheu të shtunën në fshatin Gërdec. Bilanci i viktimave është ngjitur në nëntë, por druhet se nuk ndalet këtu. "Është aktivizuar një urë ajrore me Italinë dhe të plagosurit e parë kanë mbërritur në vendin tonë. Disa prej tyre, në gjendje shumë të rëndë", shkruan "TGcom". Më tej, theksohet se ka filluar edhe operacioni i pastrimit të zonës, pasi në një rreze prej të paktën 4 km, janë përhapur predha të artilerisë së kalibrit të madh. Ndërsa situata në spitale është vendosur tani nën kontroll. Por, "TGcom" shkruan se në depozitën ku ndodhi shpërthimi, punonin edhe gra dhe të rinj të moshës 18-19 vjeç pa eksperiencë dhe shumë prej punëtorëve të mbijetuar tregojnë se nuk i janë nënshtruar më herët asnjë trajnimi për çmontimin e municioneve. Titulli më tronditës lexohet te "Corriere della Sera". "Shqipëria e tronditur: ‘Hiroshima jonë‘". Sipas gazetës italiane, të paktën 9 janë të vdekurit dhe 10 të tjerë rezultojnë të zhdukur në shpërthimin rrëqethës. Gazeta citon edhe titujt e homologeve të saj shqiptare, "Hiroshima shqiptare", "Tragjedia apokaliptike", etj., ndërsa përshkruan tragjedinë e ndodhur të shtunën, fare pranë Tiranës. Sipas "Corriere"-s, dhjetëra persona të plagosur rëndë janë transportuar në Itali dhe Greqi, ndërsa në Tiranë, me qindra persona kanë dhuruar gjak, duke iu përgjigjur apeleve të autoriteteve. Por, kjo gazetë, që i ka kushtuar faqen e saj të katërt tragjedisë së Gërdecit, sjell edhe një intervistë të ish-komandantit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralit Fabio Mini, i cili parashtron dy hipoteza për ngjarjen. E para, një sabotazh dhe e dyta, një incident teknik. Në fakt, gjenerali Mini është një njohës i mirë i situatës, për shkak edhe të kohës së qëndrimit të tij në krye të trupave të KFOR-it në Kosovën fqinje. Ai saktëson se depozitat e armatimeve në Shqipëri janë të shumta, të shpërndara në tërë vendin dhe në kushte të mjerueshme. Sipas tij, përveç municioneve të vjetra, që me kalimin e kohës bëhen të paqëndrueshme, në depot e armatimeve mungojnë edhe kushtet e sigurisë. "Baza ku ndodhi shpërthimi ishte shumë e vjetër dhe, sipas meje, janë dy hipotezat: e para, mund të jetë një sabotazh. Çmontimi i municioneve bëhet nga duar të specializuara. Por, mund të ketë ndodhur që ndokush të mos i ketë vënë duart atje ku duhej, qëllimisht. Është një hipotezë, por nuk duhet hedhur poshtë. E dyta, mund të jetë një incident teknik, pasi disa lloje eksplozivash, me kalimin e kohës, bëhen të paqëndrueshëm dhe mjafton pak për t‘i ndezur", thotë gjenerali italian. Titujt kryesorë dhe hapësira të mëdha, ia kanë dedikuar ngjarjes së Gërdecit edhe dy gazetat e tjera italiane, "La Stampa" dhe "La Repubblica". "Rritet bilanci i viktimave në tragjedinë e ndodhur në portat e Tiranës", shkruajnë ato, ndërsa citojnë më pas Kryeministrin Berisha, që pohon se trupa të tjerë të pajetë janë gjetur ditën e diel. E në përfundim, jo për nga rëndësia, edhe shtypi e mediat kosovare janë përqendruar tërësisht te tragjedia e Gërdecit, duke ndarë dhimbjen dhe trishtimin me vëllezërit shqiptarë. Në të vërtetë, që të shtunën ishin me qindra qytetarët e Prishtinës që iu drejtuan qendrave të dhurimit të gjakut, për të ndihmuar të plagosurit e tragjedisë, që i mbërtheu ata për orë të tëra para ekraneve televizive, nga ku ndiqnin çdo zhvillim. Një mobilizim i madh dhe një mbështetje e pakufi erdhi kështu edhe nga shqiptarët e shtetit të dytë shqiptar të Ballkanit. Ndërsa gazetat kryesore kosovare hapeshin me tituj si "Shpërthen Shqipëria", apo "Shpërthim me përmasa katastrofale në Shqipëri" dhe më tej sillnin fotot e resë të frikshme të tymit që mbuloi Gërdecin dhe shokoi shqiptarët, kudo ata ndodheshin.

"Koha Ditore"

Shpërthim me përmasa katastrofale në Shqipëri. Aksidenti ka ndodhur kur kanë shpërthyer predha në katër depo nëntokësore armësh. Në brendësi të tuneleve ndodheshin të paktën

150 punëtorë që po çmontonin predha ruse e kineze të viteve ‘60

"Expres"

Shpërthimi në depon e armëve në Gërdec ka marrë jetën e së paku katër qytetarëve shqiptarë dhe është dëgjuar në katër shtete. Ky shpërthim i përmasave nukleare ka lënë të plagosur mbi 200 persona dhe ka shkatërruar një numër të madh të shtëpive

"Corriere Della Sera"

Gazeta boton një intervistë të ish-komandantit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralit Fabio Mini, i cili parashtron dy hipoteza për ngjarjen. E para, një sabotazh dhe e dyta, një incident teknik

BBC

Shpërthimi tronditi Shqipërinë, shkaktoi dëme të jashtëzakonshme dhe zhurma e tij u dëgjua madje shumë larg, deri në kryeqytetin maqedonas, Shkup, 170 kilometra larg Tiranës

"Euronews"

"Shpërthimet në depozitën e armëve kanë vazhduar për 14 orë radhazi", thekson "Euronews", duke shtuar se shkaqet e tragjedisë që u kanë marrë jetën nëntë personave, janë ende të paqarta

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›