Rama pret ta përqafojë Lushtakun në liri

Kryesocialisti i Shqipërisë, Edi Rama, përmes rrjetit social Twitter, është shprehur i lumtur për vendimin e Kuvendit Komunal të Skenderajt për t’i dhënë atij titullin “Qytetar Nderi”. Ai nuk ka harruar pa përmendur edhe Sami Lushtakun, mikun e tij, i cili aktualisht është në arrest shtëpiak nën dyshimet për krime lufte.
“Mirënjohje e thellë për kë e propozoi&votoi në komunë këtë titull kaq të larte për mua! Uroj ta përqafoj shpejt në liri mikun Sami Lushtaku”, ka shkruar në Twitter kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë.
“Çfarë surprize fantastike për mua: Qytetar Nderi i Skenderajt, vatra e shenjtë e Luftës Çlirimtare të Kosovës ku ra heroikisht Adem Jashari!”.
Në këtë komunikim me ndjekësit e tij, Rama flet edhe për periudhën pas 23 qershorit, kur ai, sipas gjitha gjasave, do të jetë Kryeministër i Shqipërisë.
“E pas 23 qershorit do hapim një faqe të re historie shqiptare e rajonale në bashkëpunim me Kosovën. Shqipëri-Kosovë model i ri zhvillimi”, shkruan Rama.
Më herët subjektet politike opozitare të komunës së Skënderajt, në Kosovë dhe të shoqërisë civile kanë kundërshtuar propozim-vendimin e kryetarit Sami Lushtaku dhe rekomandimin e Komitetit për Politika e Financa, që Edi Rama të shpallej qytetar nderi i Skënderajt.
Përfaqësues të subjekteve politike opozitare e vlerësuan Edi Ramën si njeriun që nuk ka dhënë asnjë kontribut, as për UÇK-në, as për Drenicën e as për Kosovën.
Fadil Geci, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë se ky vendim dhe vetë Edi Rama nuk janë në frymën e Drenicës
/Indeksonline./