Banorët e Laprakës dhe Kamzës, “agresorët” e trenave
Emanuela Sako
Tashmë i ka humbur lavdia e dikurshme për domosdoshmërinë e lëvizjes. Ajo ç’ka mbetur mundohet të vihet në funksion të atyre pak qytetarëve që duan ende të udhëtojnë me linjat e hekurudhore. Oraret e lëvizjes së trenave janë të koordinuara në orare të caktuara për vajtje dhe ardhje, duke prerë biletat për linjat që duan të lëvizin. Për të udhëtuar me tren nga Tirana në Durrës ka 4 orare në ditë, duke filluar që në orën 5 e 55 e deri në mbrëmje. Ndërsa kostoja për këtë udhëtim është e ulët dhe kushton vetëm 70 lekë për vajtje, ndërsa për vajtje dhe kthim një qytetar mund të paguajë vetëm 110 lekë. Kushtet e brendshme të trenave të ofrojnë komoditet, por ndryshe ndodh kur i sheh nga jashtë, ku çdo dritare është e thyer. Drejtori i Stacionit të Trenit të Tiranës, Arjan Mëniku, shpjegoi dje për gazetën “Albania” se trenat dhunohen nga qytetarë të papërgjegjshëm apo fëmijët gjatë udhëtimit. Sipas drejtorit Mëniku, ky fenomen është shqetësues dhe deri tani ka qenë i pashmangshëm me gjithë denoncimet që janë bërë për këto ngjarje. Çdo ditë ky stacion pret rreth 150 udhëtarë që kryejnë lëvizje të ndryshme në rrethe, në të cilat linjat janë funksionale. Aktualisht në Stacionin e Trenit të Tiranës funksionon vetëm një linjë, e cila bën transportimin e udhëtarëve nga Tirana në Pogradec dhe anasjelltas. Ndërkohë që çdo ditë bëhet nisja e trenave nga stacioni i Durrësit, Elbasanit dhe Shkodrës. Trenat që transportojnë më tepër udhëtarë çdo ditë është lëvizja e qytetarëve nga Tirana në Durrës ose e anasjelltas. Kjo pasi shumica e qytetarëve janë të punësuar në këto vende dhe një pjesë tjetër e përbëjnë studentët. Madje shumica e tyre janë të pajisur me abone. Periudha më e frekuentuar e udhëtarëve është sezoni plazhit. Për këtë arsye pritet që së shpejti të shtohet edhe një tren tjetër, i cili do të përballojë fluksin e madh të udhëtarëve.
Komoditeti që të ofron treni
Treni i vetëm që është “pronë” e Stacionit Hekurudhor të Tiranës është treni që kryen udhëtimin Tiranë–Pogradec. Treni është transportuar para dy viteve nga Gjermania dhe duket se mirëmbahet me fanatizëm nga punonjësit e stacionit hekurudhor.
Kushtet që ofron ky tren janë të favorshme për të bërë një udhëtim, ku çdo vagon është i plotësuar me ndenjëse, të cilat janë të mirëmbajtura dhe të pastra. Ndërsa tualeti është funksional dhe i pajisur me të gjithë aksesorët. E vetmja gjë që e prish imazhin e udhëtimit dhe të pengon pamjen e jashtme janë xhamat e thyer. Megjithëse kjo pamje të trishton, drejtuesit tregojnë se siguria në tren është e plotë, pasi çdo tren shoqërohet nga dy policë gjatë çdo lëvizjeje që bëhet çdo ditë.
Qytetarët
Trenat qëndrojnë të ankoruar në stacion, ndërsa qytetarët presin nisjen e tyre. Ata tregojnë se udhëtimi me tren i tërheq sepse ka një të veçantë, që të bën të ndihesh mirë tek shijon natyrën. Ndërsa dy të moshuara rrëfejnë se i kanë qëndruar fanatike udhëtimit me tren. Kjo jo vetëm për kënaqësinë që u fal ky udhëtim, sepse nuk ka lëkundje ashtu siç ndodh me autobusët apo furgonat, por sepse ka edhe një kosto tepër të ulët në krahasim me to. Hasija, 61-vjeçare, tregoi se do të shkoj në Kavajë me tren, pasi ka qenë në një vizitë te vajza e saj në Tiranë. Ajo ka udhëtuar gjithë jetën me tren dhe i duket më komod dhe më i sigurt ky udhëtim. E moshuara shprehet se oraret e trenave janë fiks dhe nuk lëvizin asnjëherë nga oraret e përcaktuara. Ndërkohë që pritet të niset linja Tiranë-Shkodër dhe udhëtarët presin nisjen për në qytetin verior, me dëshirën më të madhe sepse nuk mund të shpenzojnë më tepër lekë. Një pjesë e udhëtarëve tregojnë se vijnë shpesh në Tiranë për arsye pune dhe nuk kanë mundësi që të paguajnë tarifat e autobusëve, ndërsa trenin e cilësojnë si tepër ekonomik. Por ajo që i shqetëson më tepër është se gjatë rrugës hasin me agresivitetin e disa të rinjve që qëllojnë me gurë apo mjete të forta në drejtim të trenave. Ndërsa ekziston dhe një problem tjetër, siç është ndërprerjet e paligjshme të hekurudhave që mbushen me gurë apo zhavorr në mjaft udhëkryqe gjatë rrugës. Drejtori i Stacionit Hekurudhor shpjegoi se ky është një problem i banorëve të cilët qarkullojnë me makina në pjesët pranë shtëpive të tyre dhe mbushin me inerte pjesët e hekurudhës ku u duhet të qarkullojnë.
Çmimet
Teksa hyn në stacionin e trenit, gjëja e parë që të zënë sytë janë oraret dhe çmimet e afishuara në mjediset e godinës. Ndërsa udhëtarët e paktë, teksa njihen me oraret dhe çmimet, i drejtohen sportelit për të blerë biletën. Ata shprehen se tarifat janë të përballueshme dhe preferojnë që të presin bileta vajtje dhe ardhje sepse kushton akoma më pak. Në tabela janë të afishuara të gjitha tarifat për çdo stacion që treni ndalon. Kështu, një qytetar që kërkon të shkojë deri në Vorë pret biletën me 40 lekë, ndërsa bileta për vajtje dhe kthim kushton 700 lekë. Por për fëmijët ka një tarifë tjetër, ku ata lejohen të udhëtojnë vetëm me 20 lekë, kurse bileta për vajtje dhe kthim kushton 350 lekë. Për qytetarët që duan të shkojnë deri në Kavajë bileta kushton 95 lekë, kurse për vajtje dhe kthim kushton 145 lekë. Kështu, variojnë të gjitha lëvizjet e tjera në të gjitha qytetet, ku linjat hekurudhore janë ende funksionale. Ndërsa oraret janë të përcaktuara për çdo lëvizje, ku fillojnë që në orët e para të mëngjesit dhe deri në mbrëmje. E vetmja mundësi udhëtimi, në të cilën ofrohen abone apo bileta vajtje ardhje është vetëm udhëtimi me tren.
Problemet
Për Drejtorinë e Stacionit Hekurudhor të Tiranës ka një numër problemesh, që më tepër shfaqen gjatë udhëtimit që përshkon treni. Një ndër këto probleme është ndërprerja që i bëhet trenit gjatë segmentit hekurudhor, ku qytetarët hapin rrugë dytësore dhe kalojnë përmes hekurudhave, të cilat shpeshherë janë bërë të rrezikshme për jetën e qytetarëve dhe pre e një numri aksidentesh. Po kështu, në të gjitha segmentet të të gjitha linjave vidhen aksesorë hekuri, të cilët qytetarët i shesin për skrap. Kjo është tepër e rrezikshme për jetën e udhëtarëve, pasi bën që treni të dalë nga shinat. Ndërsa drejtori sqaron se të gjitha pjesët që vidhen nga hekurudha zëvendësohen menjëherë sepse mund të bëhen tepër të rrezikshme. Po kështu, goditja me gurë e xhamave të trenit të udhëtarëve, që është kthyer në një hobi për të rinjtë e zonave ku kalon hekurudha, është një problem i vazhdueshëm dhe shqetësues. Kjo pasi në ambientet e brendshme trenat ofrojnë kushte optimale, ndërsa nuk shfaqet e njëjta pamje teksa i vështron nga jashtë me xhamat e thyer. Shqetësues është fakti teksa sheh 5 kazanë plehrash të vendosura në hyrje të godinës së stacionit, për të cilat Drejtoria shprehet se nuk janë të nevojshme. Sipas tyre, koshat që u duhen për udhëtarët janë në të gjitha pjesët e brendshme të stacionit, ndërsa këta kazanë janë vetëm për t’i prishur imazhin.
Klientët e trenave, më shumë të huajt
Kategoritë e udhëtarëve që preferojnë udhëtimin me tren janë ata që nuk kanë mundësi ekonomike të përballojnë lëvizjen me automjetet të tjera. Por, njëkohësisht ka nga ata që i ngelen fanatikë udhëtimeve të dikurshme, para viteve ’90, kur trenat ishin të mbipopulluar. Nostalgjikët e këtyre udhëtimeve rrëfejnë se me tren udhëtonin me familjarët për në plazhin e Durrësit. Apo kur shkonin në ekskursione me shoqërinë. Klientë të rregullt të udhëtimit me tren janë edhe turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë. Madje drejtori Mëniku shprehet se një pjesë e udhëtarëve që presin biletat në stacion janë edhe të huajt. Sipas tij, ata janë shprehur se kushtet janë të krahasueshme me një pjesë të vendeve europiane nga ata vijnë.
13 Qershor 2008