E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakulteti ri në Durrës, Pollo: “Studentët do të mësojnë dhe do të punojnë”



Pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave për çeljen e Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) në universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, Ministri i Arsimit Genc Pollo u shpreh se “FASTIP” përbën një risi në sistemin e arsimit të lartë shqiptar, por edhe një hap të rëndësishëm përpara drejt afrimit të diplomave universitare me nevojat e ekonomisë së tregut. Ky fakultet do të ofrojë arsimin universitar të integruar me praktikën profesionale, drejtpërdrejt në sipërmarrje në degët e Menaxhimit të bankave, Menaxhimit të hoteleri-turizmit dhe Menaxhimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme. “Studentët që do të diplomohen në këtë fakultet do të kenë një status të veçantë, pasi ata do të jenë edhe studentë edhe të punësuar me kontratë trajnimi në një firmë, sipas degës përkatëse”, - tha Pollo, duke shtuar se hapja e mbarëvajtja e këtij fakulteti shënon realizimin e një projekti të përbashkët, të nënshkruar në prill të këtij vitit me palën gjermane, e cila ka mbështetur dhe financuar një projekt i përmbushur me asistencën e Akademisë Profesionale të Baden-ëuerttenberg-ut, Gjermani.

13 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›