Presidenti nuk është noter, por kryetar shteti
Nga Jak Ndokaj*
Lidhur me debatin e fundit politik midis dy institucioneve më të larta të shtetit, institucionit të Presidentit dhe institucionit të parlamentit gjykoj se kjo situatë, me gjithë problematikën e saj është artificiale dhe e panevojshme. Ne që kemi më shumë se një legjislaturë në Parlament e njohim shumë mirë procedurën e dekretimit të gjyqtarëve dhe raportet e Parlamentit me Presidentin. Kemi pasur raste të votojmë pro e kundër dekreteve dhe pavarësisht interpretimeve politike, askush nuk ka vënë në dyshim procedurat. Hapja e kësaj teme papritur dhe pa një bazë të arsyeshme ligjore lë shije të hidhur dhe na vendos në një pozitë të vështirë ne si deputetë, si grupe parlamentare, por edhe si pjesë e mazhorancës.
Personalisht mendoj se debati është i panevojshëm sepse as kushtetuta dhe as ligjet e tjera në fuqi nuk na japin ne të drejtë ti themi presidentit: mos bëj më dekrete; mos merr më vendime pa na pyetur ne më parë; pra, mos ushtro kompetencat e tua kushtetuese pa pyetur grupet parlamentare të dy partive të mëdha. Kjo këshillë nuk është as e arsyeshme dhe as profesionale. Ne jemi deputetë, jemi pjesë të partive politike, jemi zgjedhur për të bërë ligje dhe përfaqësuar vullnete politike, jo për ti shpallur luftë e rivalitet asnjë institucioni e pushteti tjetër. Presidenti është në të drejtën e tij të dekretojë emërime, ne jemi në të drejtën tonë për të dhënë pëlqimin ose jo me votën tonë të fshehtë.
Debati ka edhe një anë tjetër kritike: kjo është seanca e parlamentit dhe vetëm seanca ka të drejtë të marrë vendime në emër të Parlamentit. Ka dy javë që ne dëgjojmë lloj-lloj deklaratash në media në emër të parlamentit, herë thuhet se Kuvendi nuk pranon dekretet, kërkon informacione, sulmohet Presidenti, kritikohet ambasadori amerikan, madje në emër të Parlamentit deklarohet edhe se kujt do t’i hiqet imuniteti sot, kujt nesër, dhe cili imunitet po është në rrugë e sipër për të ardhur në Parlament. Në bazë të ligjit dhe Rregullores së Parlamentit vetëm ne deputetët në seancë plenare, me vendimin tonë të lirë, mund të marrim vendime mbi dekretet dhe imunitetet. Asnjë deklaratë tjetër e bërë në emrin tonë nuk është e arsyeshme, e justifikueshme dhe e pranueshme. Unë i kërkoj Kryesisë së Kuvendit ta ketë parasysh këtë vërejtje, e cila nuk ka të bëjë vetëm me procedura, por me konceptin e parlamentit dhe rolit të tij në sistemin politik në Shqipëri. Shqetësimi im tjetër lidhet me reagimin ndaj emrave të propozuar nga presidenti për Gjykatën e Lartë. Dekretet kanë tre javë në parlament dhe ende emrat nuk janë marrë në analizë. Kjo është praktikë e gabuar, që ne nuk e kemi ndjekur në asnjë rast tjetër më parë. Dekretet miratohen ose rrëzohen, rrugë tjetër nuk ka. Deputetet e grupit demokristian i kanë parë listën e gjyqtarëve të dekretuar nga Presidenti dhe ty shohim se kemi emra shumë dinjitoz, personalitete që përfaqësojnë shtresën e ish përndjekurve politikë, që kanë përfaqësuar Shqipërinë në Gjykatën Europiane të Drejtave të Njeriut, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, etj. Është në ndër të këtij parlamenti që 18 vjet pas miratimit të pluralizmit politik të votojë për gjykatën e lartë një gjyqtar profesionist, përfaqësues i ish të përndjekurve politikë. Nuk shoh asnjë pengesë ligjore e procedurale që të pengojë parlamentin të shprehet me votën e tij për këto dekreteve, të cilat nëse shtyhen, do të sjellin bllokimin e Gjykatës së Lartë.
Shqipëria ka një president dhe ai është e duhet të jetë i tillë kur na pëlqen dhe kur nuk na pëlqen. Njëra palë gabon kur kërkon ta trajtojë atë si noter partiak, por edhe pala tjetër e ka gabim kur Presidentin e trajton si një zyrtar që ka tradhtuar besimin politik të shumicës. Unë dhe kolegët e mi që kemi votuar Presidentin, e kemi votuar atë jo për të na shërbyer, jo për të marrë vendime sipas interesave tona, por për Kryetar Shteti, siç e përcakton Kushtetuta e Shqipërisë.
Edhe dy partitë e mëdha duhet të korrigjojnë vetveten dhe ta trajtojnë presidentin me të gjithë respektin dhe seriozitetin që i jep Kushtetuta e Shqipërisë. Ne duhet të heqim dorë nga tradita e gabuar e muajve dhe viteve të kaluara, kur ndaj vendimeve dhe integritetit të Presidentit të Republikës adresoheshin sulme verbale, akuza, spekulime nga më të ndryshmet. Një shtet serioz dhe një demokraci serioze e respekton Kryetarin e Shtetit dhe minimalisht kjo kërkohet sidomos nga ne deputetë, si mandator të qytetarëve për të hartuar ligje dhe marrë vendime të drejta politike.
* Deputet
13 Qershor 2008