Ministria e Shëndetësisë, gati tenderi për barnat
Ministria e Shëndetësisë, bazuar në kërkesat e ardhura ngë të gjithë spitalet në vend dhe fondin në dispozicion dhënë nga Buxheti i Shtetit, ka kryer me kohë të gjitha detyrimet e saj administrative e ligjore për blerjen dhe furnizimin me barna të spitaleve. Mbi bazën e vendimit të KM, procedurat e tenderimit nuk kryhen më në njësinë e prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë, por nga kjo njësi dërgohen në Agjensinë e Prokurimit Publik, për tenderim elektronik. Drejtoria e Prokurimeve i ka kryer të gjitha procedurat javë më parë dhe është në pritje të ecurisë së procesit nga APP. Këto procedura janë kryer në të njëjtën periudhë me vitet e mëparshme dhe përfundimi i tyre gjithashtu do të vijë brenda muajve të verës, sipas procedurave të përcaktuara në ligj. Deri në mbyllje të procesit kontraktues çdo institucion ka patur dhe ka të drejtë ligjore të procedojë me shtesa konkrete për barnat më urgjente e më të përdorshme. Ministria sqaron gjithashtu se në muajt prill – maj – qershor ka marrë kontakte me të gjitha spitalet në sistemin shëndetësor dhe nga verifikimet rezulton se secili prej tyre ka furnizim të mjaftueshëm me medikamentet e blera fundvitin e kaluar, sipas planifikimeve të vetë spitaleve dhe mundësive që krijon buxheti i shtetit në dispozicion. Ministria sqaron gjithashtu se buxheti i shtetit për barnat dhe materialet e mjekimit është rritur në krahasim me vitet e tjera, duke u ardhur në ndihmë nevojave në rritje të spitaleve dhe ekipeve mjekësore.
13 Qershor 2008