Marrëveshje me Gjermaninë, 300 pacientë do të kurohen në vit
Emanuela Sako
Një marrëveshje binjakëzimi Shqipëri- Gjermani do të bëjë të mundur që rreth 300 pacientë shqiptar në vit, të shkojnë për trajtim në spitalet gjermane. Marrëveshja është nënshkruar dje, mes Ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, Nard Ndoka dhe Motër Diethilde Bõvingloh, përfaqësuese e Fondacionit St. Franziskus Stiftung Münster në Gjermani. Ky bashkëpunim do të shërbejë për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të popullsisë shqiptare. Këto shkëmbime do të jenë kryesisht nëpërmjet, bashkëpunimit midis Shoqatave shkencore dhe “St. Franziskus Stiftung Münster“ që do të mundësojnë specializimin e mjekëve shqiptar në spitalet e linjës që mbulon shoqata gjermane.
Pala gjermane do të mundësojë realizimin e vizitave të shkurtra të shkencëtarëve, kërkuesve dhe specialistëve të tjerë në fushën e shëndetësisë me qëllim shkëmbimin e eksperiencës.
Dërgimi
Procedura e dërgimit të pacientëve për në Gjermani do të aplikohet si në rastet e tjera të dërgimit të pacientëve. Përzgjedhja e tyre do të bëhet në bazë të sëmundjes që kanë pacientët dhe domosdoshmërisë për t’u kuruar në mënyrë të specializuar jashtë vendit. Njëkohësisht edhe procedurat e aplikimit për përcaktimin e sëmundjes dhe nxjerrjes së vizave do të jenë të njëjta. Por në këtë rast, pala gjermane do të angazhohet vetë për nxjerrjen e vizave për pacientët shqiptarë në një kohë sa më të shkurtër. Sipas premtimit që u bë gjatë këtij takimi, maksimumi i kohëzgjatjes së vizave pranë Ambasadës Gjermane në Tiranë do të jetë 2-3 ditë.
Mjekët
Pala gjermane do të akordojë një numër bursash për mjekët shqiptarë me qëllim që të marrin specializim mjekësor. Ky specializim do të kryhet në spitalet e fondacionit St. Franziskus-Stiftung. Ajo do të kontribuojë, për nxitjen e programeve arsimore për grupe të ndryshme profesionale në spitalet shqiptare (psh. për infermiere, për shërbimin mjekësor, për nëpunësit e administratës shëndetësore dhe ekonomike). Kështu, mjekët shqiptarë do të kenë mundësi të marrin formim profesional nga mjekët e specializuar gjermane, duke mbuluar sektorët më problematikë të mjekësisë.
Shërbimi në pediatri problematik, masa për përmirësimin
Shërbimi pediatrik në të gjithë vendin nuk është në pozitat e duhura për t’iu përgjigjur kërkesave të pacientëve. Për këtë çështje Ministria e Shëndetësisë ka marrë në angazhim për riorganizimin e këtij shërbimi në të gjithë vendin. Hapat që do të merren do të fokusohen në aspektet parandaluese, diagnostikuese dhe terapeutike të shëndetit të fëmijëve. Sipas burimeve të kësaj ministrie, nevojat më të menjëhershme q duhen marrë janë në drejtim të familjeve në zonat më të varfëra të vendit, ku janë prezente kequshqyerja, defiçenca jodike, sëmundjet infektive, problemet neonatale. Por problemet jan të shtrira edhe në çështje të tjera të rëndësishme si, abuzimi i fëmijëve, përdorimi i drogës, shtatzënitë adoleshente dhe rreziku nga infeksioni i SIDA-s. Sipas statistikave të kryera nga Ministria e Shëndetësisë rezulton se kequshqyerja dhe mungesa e jodit janë dhe problemet shëndetësore ende të pranishme te fëmijët në disa zona të vendit. Bazuar në studimin e fundit të UNICEF, kequshqyerja është më e ndjeshme në zonat malore, në masën 32 për qind, ndërsa më pak e ndjeshme, por gjithsesi e konsiderueshme, në masën 24 për qind, në zonat fushore të vendit. Ky studim përfshiu 5 qarqe, ndër të cilat ky fenomen ishte më i dukshem në qarqet e veriut.
13 Qershor 2008