E Diel, 1 Nëntor 2026

Barka i përgjigjet kryeministrit: “Do ti largojë fëmijët nga rruga”



Ministri i Punës, Kosta Barka, i është përgjigjur kërkesës së kryeministrit të vendit për largimin e fëmijëve nga rruga. Në mbledhjen me Komitetin Drejtues Kombëtar, për Eliminimin e Punës së Fëmijëve, e cila përkoi me Ditën Ndërkombëtare Kundër Punës së Fëmijëve, të shpallur nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), u prezantuan edhe tre projekte të reja, në kuadër të Programit ILO/IPEC, që do të aplikohen në Shqipëri me synim identifikimin dhe eliminimin e punës së fëmijëve. Këto programe janë hartuar për të adresuar çështjet dhe problemet e identifikuara deri tani për marrjen e masave të menjëhershme për eliminimin e punës së fëmijëve. “Programi i integruar për eliminimin e punës dhe trafikimit të fëmijëve”, “Sistemi i Monitorimit të Punës së Fëmijëve”, dhe “Studimi i Punës së Fëmijëve në Shqipëri”, i ndërmarrë nga INSTAT janë tre projektet e reja, zbatimi i të cilave do të shtrihet në Tiranë, Elbasan, Berat, Korçë dhe Shkodër, duke parashikuar që të asistohen rreth 650 fëmijë të përfshirë në format më të rënda të punës. Ndërkaq, për herë të parë, në bashkëpunim me INSTAT, do të organizohet Studimi i Punës së Fëmijëve në Shqipëri, që pritet të sjellë një informacion të saktë rreth përmasave të fenomenit, shkaqeve që e stimulojnë dhe tendencat në sektorët kryesorë të ekonomisë. Rezultatet e këtij studimi do të shërbejnë për të hartuar politika dhe programe konkrete në përshtatje me tendencat dhe përmasat e fenomenit.

Braktisja e shkollës, Pollo: “Më të prekurit fëmijët romë dhe egjiptianë”

Fëmijët romë dhe dhe egjiptian janë më të prekurit nga braktisja e shkollës, për shkak të punës që kryejnë. Ky fakt është nxjerrë sipas një studmi, të kryer nga Ministria e Arsimit për shkaqet që favorizojnë analfabetizmin në vendin tonë. Gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar, për Eliminimin e Punës së Fëmijëve, ministri Pollo është shprehur për këtë fenomen: “Jemi të ndërgjegjshëm se numri më i madh i fëmijëve që punojnë janë romë. Nga studimi i përbashkët me UNICEF, shoqatën ‘Save the Children’ rezultoi se fëmijët romë që punojnë i përkasin moshës 3-16 vjeç dhe përbëjnë rreth 4654 fëmijë”. Sipas tij, përmes rekomandimeve të këtij studimi, MASH ka përcaktuar zonat më të ndjeshme se ku duhet ndërhyrë dhe tashmë po zbatohet një plan veprim konkret. Gjithashtu, kreu i arsimit ka bërë të ditur se masat për parandalimin e këtij fenomeni harmonizohen në zhvillimin e kurseve, mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët rome 3-5 vjeç, krijimin e klasave të integruara për eliminimin e braktisjes së shkollës nga romët, etj.

13 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›