Çonin heroinë në Tiranë, dy në pranga
TRAFIKU/ Policia ka arrestuar shtetasit Idriz Manaj dhe Maliq Ibraj pasi në makinën ku udhëtonin u gjet 3,693 kg drogë
Sipas bluve pasagjeri shkodran është shprehur se droga i përkiste atij. Po hetohet nëse shoferi ka një lidhje
DURRËS - Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë dy shtetas, si dhe ka sekuestruar një sasi prej 3,693 kg lëndë narkotike e dyshuar si heroinë.
Ngjarja ka ndodhur gjatë një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e policisë në vendin e quajtur "Mbikalimi i Plepave" në Durrës, ndërsa në pranga janë vënë shtetasit Idriz Manaj e Maliq Ibraj. Akuza ndaj të pandehurve është trafik i lëndëve narkotike, ndërsa dyshohet se destinacioni i drogës ishte Tirana ose Mali i Zi.
Arrestimi
Kanë qenë orët e pasdites kur një postbllok policie që po ushtronte kontrolle për të kapur personat e shpallur në kërkim nga drejtësia, ka ndaluar një makinë tip "Benz" në ngjyrë vishnjë me targa FR 5092 C dhe ka bërë kontrollin e dokumentacionit të mjetit, si dhe të shoferit e pasagjerit që udhëtonte me të.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të mbikalimit të zonës së plazhit të Durrësit, njohur si Plepa ku degëzohen rrugët për në Durres, si dhe për në Tiranë.
Pyetjet drejtuar si shoferit ashtu dhe pasagjerit kanë ngjallur dyshime tek specialistët të cilët kanë vendosur që të kontrollojnë të gjithë makinen. Në vendin e mbështetjes së këmbëve të pasagjerit, i cili kishte deklaruar se ishte nga qyteti i Shkodrës, është gjetur një çantë e cila pasi u hap u pa se brenda saj kishte një sasi lënde të ambalazhuar, që u dyshua për drogë e llojit heroinë.
Policia i arrestoi si pasagjerin 55-vjeçar Idriz Manaj nga Shkodra, ashtu edhe shoferin Maliq Ibraj nga Patosi i Fierit, i cili këmbënguli se nuk kishte të bënte me ngjarjen pasi ai ishte thjesht një shofer taksie që po i shërbente klientit të vet të rastit.
Policia
Policia ka deklaruar se janë kapur dhe më pas arrestuar në flagrancë shtetasit: Idriz Manaj, 55 vjec, lindur e banues në Shkodër, i dënuar më parë me 3 vjet burg për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe Maliq Ibraj, 58 vjeç, banues në Patos Fier.
Policia thotë se "arrestimi i tyre u bë për arsye se gjatë kontrollit të automjetit tip Benz me targa FR 5092 C i drejtuar nga shtetasi Maliq Ibraj dhe ku si pasagjer udhëtonte shtetasi Idriz Manaj, këtij të fundit i është gjetur një çantë kartoni brenda së cilës ndodheshin 6 pako me lëndë të bardhë, me peshë totale prej 3,693 kg, e cila dyshohet të jetë narkotike e llojit heroinë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip "Benz". Po punohet nga ana jonë në drejtim të zbardhjes së itinerarit të transportit të lëndës narkotike".
Pistat
Pas arrestimit nisi hetimi për të zbuluar rrugën e drogës. Ajo fillimisht nisi për në laborator materialin e dyshuar për heroinë dhe më pas mori në pyetje dy të arrestuarit të cilët fillimisht e mohuan se u përkiste atyre dhe më pas u arrit në konluzion se materiali i ndaluar ishte pjesë e ngarkesës së pasagjerit shkodran.
Shoferi mbeti në arrest për të zhvilluar hetime se mos kishin pasur lidhje më parë dhe për këtë u morën nën kontroll tabulatet telefonike të të dy personave. Pritet që hetimet e mëtejshme të nxjerrin në dritë nëse kanë bashkëpunuar apo ka qenë rastësi, si dhe të gjenden burimet e marrjes së materialit.
Dyshohet se megjithëse ata u kapën në një kontroll rutinë, siç e cilësoi policia, të kenë qenë të ndjekur në rrugë operative. Specialistët dyshojnë se droga e kapur ka pasur si destinacion Tiranën ose Malin e Zi, sidoqoftë për këtë do të ketë më pas dhe të dhëna me të plota, saktësojnë burimet. Fakti që mjeti nuk po hynte në Durrës, përjashtojnë mundësinë që adresa e drogës të ketë qenë tregu i Durrësit ose shteti fqinj Italia.