E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Orikumit bllokojnë derën e bashkisë

Rreth 60 banorë të zonës së Orikumit kanë bllokuar dje për gati 3 orë derën e bashkisë, duke mos lejuar futjen brenda të kryetarit dhe punonjësve të administratës vendore. Protestuesit kërkonin që toka, e cila u ishte dhënë në përdorim, pas shpërbërjes së Ndërmarrjes Bujqësore, t‘u njihet si pronë e tyre, ose të dëmshpërblehen nga qeveria. Kërkesat e përsëritura të tyre deri më sot nuk kanë marrë përgjigje dhe në tokat e tyre, që tashmë u është kthyer pronarëve, kanë nisur punimet për ndërtimin e disa pallateve. Kjo ka irrituar protestuesit, të cilët në fillim kanë penguar zhvillimin e punimeve në një pallat që po ndërtohet dhe më pas janë drejtuar për nga godina e bashkisë, ku kanë vijuar protestën e tyre. Mbas tre orë diskutimesh, ata kanë lejuar kreun e bashkisë, Kanan Brahon, të hyjë në godinë, i cili i ka pritur më pas në zyrë për të diskutuar rreth problemit të tyre. Protestuesit i kanë kërkuar Brahos të ndërmjetësoj me qeverinë për t‘iu kthyer tokën që kanë pasur në përdorim dhe t‘u jepet certifikata e pronësisë, siç është vepruar deri më tani me zonën e Radhimës, Orikumit dhe Dukatit. Ndërkohë, kryetari i bashkisë u ka thënë protestuesve se kërkesat nuk mund të marrin zgjidhje nga Bashkia e Orikumit, por nga qeveria. "Unë jam i angazhuar totalisht për zgjidhjen e këtij problemi. I kam dërguar disa shkresa Kryeministrit, si dhe ministrive përkatëse, por deri më sot nuk më është kthyer ndonjë përgjigje pozitive. Zona e Orikumit ka një plan studimi dhe rregullimi urbanistik, kështu që çdokush që ka një certifikatë pronësie dhe paraqet kërkesë për të ndërtuar i jepet leja e ndërtimit, sepse e ka të mbështetur në ligj dhe unë nuk e kundërshtoj dot, ndërkohë që ju e keni vetëm në përdorim. I takon politikës ta zgjidhë këtë problem dhe jo bashkisë", ka sqaruar Braho. Ndërkohë, ai u ka premtuar protestuesve se do të pezullojë përkohësisht punimet për ndërtimin e pallatit në këtë tokë, deri në një zgjidhje të shpejtë të këtij problemi.

Banorët kanë deklaruar se do të vazhdojnë protestat e tyre dhe në ditët në vijim, madje kanë kërcënuar se do të bllokojnë dhe rrugën nacionale Orikum-Vlorë dhe atë Orikum-Himarë deri sa kërkesat e tyre të marrin zgjidhje. Ndërkohë, forcat e rendit kanë qëndruar në gatishmëri gjatë gjithë kohës që ka vazhduar protesta, por nuk kanë ndërhyrë në asnjë moment.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›