E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceremoni madhështore në 10-vjetorin e krizës kosovare

Në qytetin e Kukësit këto ditë kanë nisur përgatitjet për manifestimin "Eksodi 99", i cili shënon edhe 10-vjetorin e ngjarjes më të madhe humanitare dhe të luftës në shekullin XX për shqiptarët. Madje, Kukësi do të jetë pika fundore e krejt manifestimeve që, siç mësohet nga organizatorët, do të nisin në Mitrovicë me datë 14 prill 2009, ashtu siç kishte ndodhur 10 vjet më herët. Në Bashkinë e Kukësit mësohet se manifestimi i 10-vjetorit të krizës organizohet nga shoqata kombëtare "Eksod 99", si dhe asociacioni i komunave të Kosovës dhe mendohet që në këtë aktivitet do të marrin pjesë rreth 90 mijë njerëz e do të zgjasë tri ditë. Karvanët me mjete transporti dhe familjarë që udhëtojnë me këmbë do të nisen nga Mitrovica, Drenica, Prishtina, Peja, Gjilani etj., dhe ashtu siç ka ndodhur në prill të vitit 1999 do të flenë një natë në qytezën Xërxë e më pas të nesërmen do të marshojnë drejt Kukësit. Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili, tregon se ai dhe administrata e tij, si dhe personalitete të tjera janë ftuar në Mitrovicë, ku do të bëhet nisja e "refugjatëve" nga ura e Ibrit. Si mjete transporti do të përdoren makina të ndryshme, por edhe traktorë, ndërsa rreth 14 mijë njerëz do të ecim në këmbë, siç ka ndodhur kur u dëbuan nga shtëpitë e tyre prej dhunës së ushtrisë dhe policisë serbe. Në qytetin e Kukësit, për të shënuar 10-vjetorin e eksodit biblik të shqiptarëve, po punohet për përfundimin e obeliskut të ngritur nga vetë kosovarët në shenjë mirënjohjeje për popullin e Kukësit dhe gjithë Shqipërisë, si dhe po ngrihen kapacitetet e nevojshme për të pritur në qytet rreth 20 mijë njerëz, një pjesë e të cilëve do të udhëtojnë në këmbë. Bashkia e Kukësit do të japë në bashkëpunim me forume të ndryshme artistike të Kosovës një koncert të madh në stadiumin e lojërave me dorë, me këngëtarë të shquar. Do të çelen gjithashtu tri ekspozita fotografike që pasqyrojnë krizën e vitit 1999, ndërkohë është parashikuar që qindra familje të hapin dyert për të pritur, si në vitin 1999, familjet kosovare, me të cilat kanë mbajtur lidhje të vazhdueshme pas përfundimit të krizës. Qyteti i Kukësit, me rreth 20 mijë banorë, priti në strehën e vet të varfër rreth gjysmë milioni njerëz të dëbuar, rreth 60 për qind e të cilëve qëndruan aty për tre muaj. Gjatë gjithë ditëve të jashtëzakonshme të krizës, në Kukës nuk u shënua asnjë vepër penale, ndërkohë që gjetën mirëkuptim të plotë edhe qindra shoqata dhe organizma të huaja, që erdhën për të ndihmuar në kapërcimin e krizës. Për të gjitha këto, ky qytet u propozua nga të huajt si kandidat i çmimit "Nobel" për paqe, çmim që atë vit e meritoi Presidenti amerikan, Bill Klinton.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›