KQZ: Vonesat e partive rrezikojnë procesin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shtyu për sot konstituimin e Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) në rrethe, ndërsa nesër pritet konstituimi i KZAZ-së në Tiranë. Ngritja e nisja nga puna ishte parashikuar për ditën e djeshme, por në mungesë të listës së plotë të propozimeve të anëtarëve nga ana e partive politike KQZ-ja u detyrua që në një mbledhje urgjente t‘u bëjë thirrje partive politike që të sjellin sa më parë emrat që do t‘i përfaqësojnë në këtë strukturë që përgatit procesin zgjedhor. Arben Ristani, kreu i Komisionit të Zgjedhjeve, deklaroi se partitë politike që nuk kanë çuar emrat sipas afatit, kanë shkelur ligjin. Ai shprehu bindjen se KQZ-ja është e angazhuar për një proces zgjedhor sipas standardeve, por kërkoi angazhimin maksimal nga ana e partive politike. "Kemi të bëjmë me shkelje nga ana e forcave politike për emrat e KZAZ-ve. Ndaj unë dua të bëj një apel për partitë politike që kanë të drejta përfaqësimi në KZAZ, por edhe organizmave ndërkombëtarë që merren me zgjedhjet për të ngritur shqetësimin. Ne si Komision Qendror i Zgjedhjeve jemi të angazhuar në maksimum për organizimin e zgjedhjeve brenda standardeve të duhura", tha ai. Partia Socialiste është e vetmja parti që nuk e ka dorëzuar listën e plotë të përfaqësuesve të saj në KZAZ. Përfaqësuesi juridik i kësaj partie në KQZ, Gent Gjonçaj, mohoi se Partia Socialiste ka si qëllim bllokimin e procesit zgjedhor. Ai shpjegoi se vonesat me listat vijnë për arsye teknike dhe afatesh kohore. "Vonesa është për çështje teknike. Nga ana e PS-së s‘ka pasur dhe s‘do të ketë dëshirë për të bojkotuar zgjedhjet. Ka pasur mungesë kohe sot për nesër, apo sot për sot, është e pamundur", deklaroi Gjonçaj. Në përfundim, KQZ-ja vendosi që gjatë ditës së sotme të konstituohen të gjitha KZAZ-të në rrethe dhe nesër KZAZ-ja e Tiranës si më e madhja në vend. Sipas Kodit Zgjedhor, afati fillestar që kishin partitë për të dorëzuar emrat e përfaqësuesve të saj në KZAZ ishte 13 marsi. PD-ja dhe PSD-ja ishin dy partitë e para që dorëzuan këtë listë. Disa ditë më vonë, në KQZ mbërriti edhe lista e PR-së. Ligji i jep dy javë kohë KQZ-së që të miratojë listat e propozuara nga partitë politike dhe në datën 28 mars duhej bërë konstituimi i KZAZ-ve. Por, në mungesë të listës së plotë, KQZ-ja shtyu për datën 1 dhe 2 prill konstituimin e tyre. Sipas nenit 27 të Kodit Zgjedhor, vendimi për ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor merret nga KQZ-ja jo më vonë se 90 ditë para datës së zgjedhjeve. Partitë politike propozojnë kandidaturat përkatëse për anëtar të KZAZ-së jo më vonë se 15 ditë para afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, që në këtë rast ishte 13 marsi.