E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çekët inspektojnë gjendjen teknike të degës së Fierit

Përfaqësuesit e firmës çeke, që ka privatizuar OSSH-në, kanë zhvilluar dje një etapë inspektimi në zonën energjetike të Fierit. Mesditën e së mërkurës, dy nga përfaqësuesit më të lartë të firmës "Chez", si dhe një përfaqësues shqiptar i OSSH-së, kanë marrë kontakt me kreun e filialit të Fierit, Arjan Bibo, dhe më pas kanë shkuar për të inspektuar zonën. Mësohet se inspektimi ka zgjatur për afro 3 orë dhe përfaqësuesit çekë kanë shprehur interes të lartë për treguesit ekonomik të ndërmarrjes që do të blejnë. Lajmi pohohet nga kreu i OSSH-së, filiali Fier, Arjan Bibo, sipas të cilit çekët janë përqendruar më tepër në treguesit e degës ekonomike. Ata kanë përballur dhe krahasuar informacionet e marra, që ishin referuar nga qendra e OSSH-së në Tiranë, për këtë filial me ato që u janë servirur dje nga drejtuesit e degës ekonomike, si dhe të filialit Fier. Veç të tjerave, çekët kanë parë nga afër situatën në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike për qytetin e Fierit, si dhe për disa zona të tjera që mbulon filiali i Fierit. Kështu, është inspektuar gjendja teknike e stacioneve dhe nënstacioneve të energjisë, rrjeti shpërndarës, rrjeti furnizues, si dhe situata në rrjetin e shpërndarjes deri në lagje periferike të qytetit.

Gjithashtu, OSSH-ja e Fierit ka testuar dje punonjësit e këtij filiali. Mësohet se brenda muajit prill do të realizohet testimi i të gjithë administratës dhe punonjësve. Bëhet fjalë për rreth 500 punonjës të këtij filiali, të cilët do të tregojnë aftësitë e tyre profesionale, duke iu nënshtruar provimit. Rezultatet do të tregojnë nëse punonjësit e filialit të OSSH-së Fier janë të aftë të menaxhojnë dhe të ruajnë vendin e punës. Sipas drejtorit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes në Fier, Arjan Bibo, nga testimi nuk do të përjashtohet asnjë nga 500 punonjësit. Ai shprehet i vendosur se të gjithë punonjësit që nuk do të mundin të kalojnë testimin, do të largohen nga vendi i punës. "Nga data 1 prill fillon testimi i gjithë punonjësve të OSSH-së. Drejtoria Zonale Fier do të tregohet e vendosur për të mbajtur në punë vetëm profesionistët. Një nga pikat kyçe, ku nuk do të tolerohet asnjë punonjës, do të jetë pikërisht marrëdhënia mes konsumatorëve dhe faturistëve të energjisë elektrike, si dhe respektimi i treguesve në sahat-matëset dhe lidhjeve korrekte të energjisë. Pra, për këtë kategori punonjësish, kriteret bazë në vlerësim do të jenë opinioni i konsumatorit dhe korrektësia në faturimin dhe lidhjen e energjisë", ka thënë drejtori Arjan Bibos.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›