E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, rritja fillon që këtë muaj

Muajin e ardhshëm, mosha e tretë do të ketë më shumë përfitime se zakonisht. Sipas vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave, në muajin maj mosha e tretë do të marrë shtesën mbi përfitim, që zakonisht vitet paraardhëse është marrë në muajin korrik.

Por jo vetëm mosha e tretë, edhe ata që përfitojnë pension familjar, apo invaliditeti janë të përfshirë në "skemën" e rritjes. Data 1 maj, si dita e marrjes së shtesës, është përcaktuar më herët këtë vit, edhe si pasojë e mbingarkesës së administratës, me rastin e fushatës zgjedhore në muajin korrik.

Përllogaritjet për secilin pensionist do të përfundojnë brenda këtij muaji, sipas formulës së llogaritjes dhe njëkohësisht shtesën sipas vendimit të qeverisë.

Sipas Këshillit të Ministrave, në muajin maj do të ketë shtesë me 10 për qind për pensionet e qytetit dhe pagesë me 20 për qind për pensionet e fshatit. Rritja me 10 për qind më shumë në fshat bëhet për të ngushtuar diferencat e pensioneve të fshatit dhe qytetit të krijuara gjatë viteve.

Kategoritë

Grupet që përfitojnë nga vendimi i Këshillit të Ministrave janë të gjitha kategoritë e përfitimeve në formën e pensionit mujor. Sistemi i pensioneve përbëhet nga tri kategori: pensioni i pleqërisë, i invaliditetit dhe ai familjar. Përfitojnë nga vendimi pensionet e reduktuara, pensionistët në fshat dhe në qytet, përfituesit nga skema e sigurimeve shoqërore.

Janë 6 lloje përfitimesh, që janë të përfshira në tri kategori pensionesh, të cilët kanë plotësuar kriteret e nevojshme siç janë mosha dhe vitet e nevojshme të punës së siguruar.

Periudha e sigurimit nis në datën kur personi fillon ligjërisht aktivitetin ekonomik dhe mbaron në datën kur e mbyll atë. Për të fituar të drejtën e pensionit, individi duhet të kontribuojë në degën përkatëse, gjatë një periudhe sigurimi të përcaktuar. Periudha e sigurimit përfshin kohën gjatë së cilës janë paguar kontribute në skemën e sigurimeve shoqërore.

Formula

Metoda e llogaritjes së pensionit bëhet sipas një formule, duke i shtuar nga pas edhe shtesën në përqindje.

Konkretisht, formula e pensionit të plotë të pleqërisë është masa e pensionit bazë që u jepet personave të siguruar. Masa e tij është 9515 lekë në muaj, duke mbledhur shtesën mbi pension. Shtesa është individuale, varet nga madhësia dhe zgjatja e periudhës kontributive. Është 1 për qind për çdo vit sigurimi shumëzuar me "bazën mesatare të vlerësueshme", paga mbi të cilën janë paguar kontributet.

Aktualisht, baza mesatare e vlerësueshme llogaritet si mesatare e pagave që ka marrë i punësuari gjatë gjithë viteve të punës dhe mbi të cilat janë paguar kontribute. Duke qenë se përpara vitit 1994 nuk ka të dhëna për pagat individuale, për efekt të llogaritjes së bazës mesatare të vlerësuar, llogaritjet bëhen në bazë të pagave referuese të përcaktuara nga KM, që i përgjigjen llojit të punës, apo profesionit të dokumentuar në regjistrat themeltarë dhe në librezën e punës te punonjësit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›