Banorët e Orikumit, sërish në protesta.
Banorët e Orikumit kanë protestuar dje para bashkisë, për t‘i kujtuar Kryeministrit Berisha se deklaratat dhe premtimet e bëra para dy ditëve duhet t‘i bëjë realitet. Protestuesit kanë kërkuar që të njihet sa më shpejt ligji që i bën pronarë të tokës dhe t‘i bëhet me dije Bashkisë së Orikumit, që nga kjo e fundit të mos jepen më leje ndërtimi. "Kryetari i bashkisë duhet të bashkëpunojë me shoqatën e fermerëve dhe të shikohet me përparësi zgjidhja jonë", thanë protestuesit, duke shprehur dhe një herë pakënaqësinë për kreun e bashkisë, Kanan Braho, që sipas tyre ende nuk ka denjuar t‘i presë dhe të dëgjojë ankesat e tyre. Protesta e qindra banorëve të Orikumit vjen dy ditë pas deklaratës së kreut të qeverisë, Sali Berisha, i cili i garantoi banorët se do t‘i marrin pronat e tyre dhe se ai është njeri që i mban premtimet që bën. "Kërkojmë që zgjidhja e propozuar nga Kryeministri Sali Berisha të bëhet konkrete dhe afatshkurtër. Nuk mund të presim më gjatë. Ne nuk duam më fjalë boshe, por veprime konkrete", kanë thënë protestuesit, të cilët shtojnë se kjo protestë shërben si një kujtesë për Berishën. Protesta ka qenë e qetë dhe paqësore, ndryshe nga ajo e ditëve më parë ku u shënuan konfrontime fizike dhe ndërhyrje e dhunshme e policisë. Aktualisht, ndërtimi është i pezulluar, ndërkohë që nuk jepen afate se kur do të rinisë puna.
Mi.Ma.
Mi.Ma.