E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deficiti tregtar thellohet më tej në shtator

Deficiti tregtar i Shqipërisë u përkeqësua ndjeshëm gjatë muajit shtator, si pasojë e reduktimit shumë të vogël të sasisë së mallrave të importuara në krahasim me reduktimin e fortë të eksporteve, bëhet e ditur nga statistikat e publikuara dje prej Institutit të Statistikave. "Deficiti tregtar i këtij muaji është 31 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 17.1 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 18.1 për qind krahasuar me shtator 2008", njoftoi INSTAT. Gjatë periudhës janar-shtator, eksportet e Shqipërisë drejt botës janë reduktuar me 15 për qind, ndërkohë që importet janë reduktuar me vetëm 0.9 për qind. Për pasojë, deficiti tregtar i Shqipërisë është rritur me 4.5 për qind, duke shënuar kuotën e 1.8 miliardë eurove. Përqindja e mbulimit të importeve me eksporte ka rënë në 23.6, nga 27.6 për qind që ka qenë një vit më parë. Raporti import/eksport është sot në nivelin më të keq që nga viti 2002.

Të gjitha vendet e Europës Lindore kanë njohur rënie të njëkohshme të importeve dhe eksporteve gjatë këtij viti, për shkak të krizës botërore, por në përgjithësi, disiplina financiare e qeverive ka sjellë reduktimin e deficiteve tregtare. Shqipëria është një rast i veçantë në këtë drejtim, për shkak se shpenzimet e larta të qeverisë kanë sjellë edhe importe më të larta. Një studim i Fondit Monetar Ndërkombëtar vëren se rritja e shpenzimeve të qeverisë në vendet e vogla dhe të hapura si qeveria, konvertohet pothuajse automatikisht në importe. Qeveria i rriti shpenzimet këtë vit për të financuar projekte infrastrukturore dhe rritje pagash e pensionesh. Paratë shtesë të hedhura në treg u përdorën menjëherë për blerje mallrash importi. Në total, stabiliteti makroekonomik i vendit është dobësuar ndjeshëm gjatë këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›