Banorët e Portëzës dalin në protestë
Banorët e fshatrave Plyk e Kraps në Komunën e Portëzës u janë rikthyer protestave. Teksa para muajit qershor të vitit 2009 kërkonin ndërtimin e rrugës, në protestën e së hënës banorët e fshatrave të sipërcituar kanë shtuar kërkesat e tyre, duke thënë se kërkojnë edhe mbrojtjen e komisionerëve dhe mosndjekjen penale të tyre. Në orën 10.30 të paradites së të hënës afro 150 banorë të fshatrave Plyk e Kraps kanë dalë në qendrën e fshatit dhe kanë protestuar për më tepër se një orë. Organizator i protestës ka qenë komuniteti i fshatrave, i cili është duke vuajtur mungesën e infrastrukturës, që lidh zonën e tyre me Fierin. “Duam ndërhyrje të menjëhershme të qeverisë për ndërtimin e rrugës. Ndodhemi vetëm pak kilometra larg Fierit, por ndihemi tërësisht të izoluar. Kjo, për shkak të rrugës. Rrugë duam asgjë më shumë”, tha Vait Kallashi, banor i zonës. “Dy janë kërkesat tona. E para është rruga dhe e dyta është mosndjekja penale e komisionerëve. Ata nuk u lejuan nga ne që të kryheshin votime. Duke qenë edhe pjesë e komunitetit ata e vuajnë njësoj si ne mungesën e rrugës”, tha Asqeri Lefteraj, një tjetër banor.
#