Policia kërcënon shoferët protestues, u merr targat shënim
Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe banorëve të zonës së Shkozetit bllokuan sërish rrugën në shenjë proteste për gjendjen dhe mungesën e punimeve për ndërtimin e saj. Me parulla në duar, ku theksoheshin premtimet-fjalë të Kryeministrit dhe ministrit të Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, si dhe fakti që rruga po cenon jetën dhe bizneset e tyre, protestuesit bllokuan zonën te rrethrrotullimi i Shkozetit ku kryqëzohen disa rrugë, duke shkaktuar një ngarkesë të konsiderueshme të trafikut. Forca të shumta policie, si edhe shefi i Komisariatit të Policisë së Durrësit u paraqitën menjëherë në vendin ku zhvillohej protesta dhe ndërhynë për zhbllokimin e rrugës. Ndërkaq, edhe vetë pasagjerët e autobusëve urbanë dhe drejtuesit e automjeteve që u bllokuan si rezultat i protestës në rrugë u solidarizuan me protestuesit, pasi çdo ditë ata përballen me rrugën e rrënuar dhe gropat e mëdha e baltën që po shkatërron mjetet dhe shëndetin. Mes protestuesve dhe punonjësve të policisë së rendit është shkaktuar tension. Automjetet që kishin krijuar barrierën për të bllokuar qarkullimin, përveç protestuesve nisën të lëvizin, kur punonjësit policorë vendosën të shënojnë në blloqe targat e tyre. Ndëshkimet e mëpastajme i kanë detyruar shoferët e automjeteve të largohen dhe policia ka disiplinuar trafikun, që dhe për shkak të gjendjes së rrugës është tejet i rënduar. 12.8 milionë euro është investimi për ndërtimin e këtij aksi të rëndësishëm rrugor që ka paralizuar jetën e biznesit dhe të banorëve të kësaj zone të Durrësit, e cila është investuar nga Fondi Kuvajtian për Zhvillimin dhe qeveria shqiptare. Punimet që nuk kanë nisur ende po zbatohen nga një firmë e kontraktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Ndërtimi i saj kap një gjatësi prej 7 kilometrash, 5+2 dhe përfshin edhe ndërtimin e një mbikalimi mjaft të rëndësishëm për këtë aks rrugor. Punimet për ndërtimin e rrugës dhe by-pass-it nisën në qershor të vitit të kaluar dhe janë parashikuar të kryhen në 660 ditë kalendarike. E ndërsa viti i parë i punimeve po afron, gjendja në rrugë paraqitet akoma edhe më e rënduar. Asnjë punim nuk është kryer, ndërsa ministri i Punëve Publike dhe Transporteve deklaroi pak ditë më parë se janë reshjet shkaktarët e bllokimit të punimeve në rrugën e Shkozetit.
#