Mustafaj: Berisha dhe Rama nuk po bëjnë politikë
Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, akuzon dy liderët kryesorë, Berisha dhe Rama, se nuk po prodhojnë politikë. Në një intervistë për BBC, ai thotë se që të dy nuk kanë dhënë propozime kompromisi për situatën.
Si e shikoni atë çka po ndodh me ngërçin politik në Shqipëri. Ka mendime se politikanët kryesorë nuk e marrin atë si art të së mundshmes?
Unë kam bërë një shkrim të gjatë me titull “Rreziku për një Shqipëri apolitike”. Politikanët për të cilët ju flisni dhe janë dominues në skenën politike shqiptare nuk prodhojnë politikë. Politikë prodhohet në demokraci. Qoftë në regjimet autoritariste apo diktatura (ku nuk është rasti i Shqipërisë) mungon ajo. Që në simptomat se si u pritën zgjedhjet nga PS-ja dhe se si u përjetua fitorja nga PD-ja pashë rrezikun e shkuarjes përpara me një filozofi menaxhimi të jetës politike, shoqërore etj., se sa politikë. Në këtë kuptim nuk ka vend sot në Shqipëri për shprehjen “politika është arti i së mundshmes”, sepse bëhet shumë pak politikë.
Por kjo politikë nuk ndodh as në vendet e tjera të rajonit.
Nëse flasim për vendet e rajonit ne jemi si tren të gjithë bashkë që shkojmë drejt një horizonti të përbashkët që është Bashkimi Europian. Vagonët ama kanë shpejtësi të ndryshme, temperatura të ndryshme, nivel tjetër nëse flasim me metaforë. Mendoj se në vende të tilla si Kroacia apo Sllovenia bëhet politikë. Në rastin konkret ne po flasim për realitetin shqiptar.
Zoti Mustafaj, si e shikoni tranzicionin shqiptar?
Tranzicioni shqiptar ka qenë plot me konvulsione. Kjo është e shpjegueshme për shkak të kaluarës. Erdhi një klasë politike në vitet ‘90 pa një kulturë politike dhe eksperiencë. Mjafton t’u kujtoj programin e parë të PD-së, atë me të cilin u organizua. Ai nuk ishte program partie në kuptimin klasik të fjalës. Mungesa e kulturës politike tek elita që erdhi në drejtim të vendit dhe mungesa e pjekurisë do prodhonte konvulcione. Do të thosha se pikërisht kjo e kaluar është e lidhur me faktin se elitat politike në asnjë vend të Lindjes nuk kanë qenë aq të paqëndrueshme sa në Shqipëri. Në Parlamentin e parë ishim 250 deputetë dhe pas kaq vitesh janë vetëm 4-5 deputetë. Shqipëria nga pikëpamja e elitave ka vazhduar të jetë si një përrua që nxjerr mënjanë gurët, por nuk ka dalë mënjanë të stabilizojë elitat. Stabiliteti i elitave nuk tregohet te fakti se ende është Sali Berisha në politikë. Stabiliteti i tyre është te qëndrueshmëria e ekipeve.
Kur flasim për standarde, kur mund ta plotësojë Shqipëria atë të organizimit të zgjedhjeve të duhura?
Nuk kam një kalendar. Shpresoj sa më shpejt. Besoj dhe jam i bindur se fakti që zgjedhjet kanë probleme, fakti se pranimi i rezultatit ka probleme është fakt i papjekurisë së klasës politike. Mungesës së bindjeve të rrënjosura për demokracinë, e një disbalance që është e rrezikshme midis dëshirës për pushtet e dëshirës për demokraci që mbizotëron mbi drejtuesit e klasës politike.
A shikoni një zgjidhje për krizën politike?
Nuk kam një recetë konkrete. Di që ngërçi është vërtet politik, por qasja ndaj ngërçit nuk është politike. Berisha bëri një propozim për ngritjen e 100 prokurorëve. Ky meriton vëmendje, por do duhej që vetë qeveria e mazhoranca ta zhvillonte këtë koncept. Nuk është e mjaftueshme një frazë e hedhur nga Kryeministri për të kuptuar se mbi ç’baze ligjore do veprojnë ata, nga kush do varen, fusha e veprimit dhe ku shkojnë rezultatet e tyre. Ne nuk kemi asnjë propozim konkret që të jetë një propozim kompromisi nga asnjëra palë. Kemi dy protagonistë, që në njëfarë mënyre ulen përballë njëri-tjetrit, ku secili kërkon maksimumin. Nëse futet debati politik ka një të mesme gjithmonë. Rama, por edhe Berisha deri diku shkojnë me idenë që ta mundin njëri-tjetrin. Zoti Rama e ka gjetur një gozhdë ku është kapur me një stoicizëm kokëfortë parapolitik. Nuk shoh nga të dyja palët një lëvizje të strukturuar për të arritur te kompromisi. Ngërçi pengon faktikisht funksionimin e institucioneve në Shqipëri. Gjykata Administrative nuk ngrihet pa opozitën, në qershor do të mbarojë mandati i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Si do zgjidhen ata? Avokatit të Popullit i ka mbaruar mandati dhe nuk zgjidhet. KLD-ja nuk është konstituar siç duhet për shkak të kësaj situate.
A mund të themi se tryezat e Presidentit për krizën dështuan?
Nëse flasim ftohtë do themi se ato dështuan, përderisa nuk ia arritën qëllimit.
Pse nuk e largoni zotin Berisha nga drejtimi i PD-së?
E vetmja mënyrë për ta larguar atë është me vota dhe deri tani ai merr më shumë se kushdo tjetër brenda partisë.
#