E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Radhimës "thahen" prej dy muajsh për ujë

Prej dy muajsh banorët e fshatit Radhimë vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Sipas banorëve, shkaku i mosfurnizimit me uji të pijshëm është bërë çarja e tubacioneve. Sipas tyre, Drejtoria e Ujësjellësit të Bashkisë së Orikumit nuk ka bërë asnjë përçapje për saldimin e tubacioneve apo zëvendësimin e tyre. "Jemi ankuar vazhdimisht në Bashkinë e Orikumit, por janë mjaftuar duke na thënë se së shpejti do të ndërrojmë një pjesë të tubacioneve, të cilat do të vijnë nga Maqedonia, si dhe do të ndërrojmë pompën e furnizimit, e cila është me defekt. Por kanë kaluar dy muaj dhe nuk është marrë asnjë masë deri më tani", shprehen banorët e Radhimës për "Shqip". Sipas tyre, mbi rrjetin e shpërndarjes është ndërtuar një hotel, gjë që vështirëson riparimin e tij. Ndërkaq, përfaqësuesit e ujësjellësit sqarojnë se rrjeti i shpërndarjes së ujit të pijshëm, me të cilin furnizohet fshati Radhimë, është shtrirë para 25 vitesh dhe si pasojë është tejet i amortizuar dhe i çarë në disa vende. Sipas tyre, shkak i dëmtimit të rrjetit janë bërë dhe ndërhyrjet e bizneseve, si dhe ndërtimet e shumta të bëra në këtë zonë. Ndërsa në Bashkinë e Orikumit, shkaku i vonesës së riparimit të defektit ka qenë mungesa në sigurimin e tubacionit special që pritet të mbërrijë nga Maqedonia. Ndërkaq mësohet se shumë banorë janë larguar te të afërmit e tyre, derisa të zgjidhjet mungesa e ujit të pijshëm.

Mi.Ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›