Policia belge: Shqipëria, vend kyç për luftën ndaj antikrimit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, dhe komisioneri i Përgjithshëm i Policisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, Fernand Koekelberg, nënshkruajnë Planin e Përbashkët të veprimit për vitet 2009-2010 ndërmjet strukturave policore të Republikës së Shqipërisë dhe atyre të Mbretërisë së Belgjikës. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, kreu i policisë shqiptare, Hysni Burgaj theksoi se nënshkrimi i këtij plan-veprimi konsiston në mbështetjen me trajnime të specializuara dhe në shkëmbimin e eksperiencës dhe përvojës më të mirë mes policisë belge dhe asaj shqiptare, e ka si qëllim forcimin e kapaciteteve të policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme. Ndërkohë, komisioneri i Përgjithshëm i Policisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, Fernard Koekelberg, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet policive të të dy vendeve theksoi se prania e tij mjafton për të vënë në dukje rëndësinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit. "Në planin belg e kemi identifikuar Shqipërinë si partner të privilegjuar në luftën kundër krimit", theksoi ai. Për të nënvizuar rëndësinë që Belgjika i jep Ballkanit dhe në veçanti Shqipërisë, po ju bëj me dije faktin që gjatë vitit 2010 kur Belgjika do të ketë presidencën e Bashkimit Europian, ne kemi zgjedhur Tiranën për takimin e oficerëve ndërlidhës të të gjithë Europës për Ballkanin, dhe kjo tregon rolin dhe rëndësinë që i japim Shqipërisë. Kjo do t‘u shërbejë përpjekjeve tuaja në luftën kundër krimit dhe përbën një ndihmesë të madhe për ju në rrugën drejt BE-së". "Që prej vitit 2006 në Shqipëri është vendosur oficeri i kontaktit belg, ndërkohë në vitet 2007-2008 kemi nënshkruar dy plane veprimi. Oficeri i kontaktit shqiptar në Belgjikë tashmë është në proces akreditimi.
Ble. Gi.
Ble. Gi.