Banorët e Shkozetit: Po na dëmtohen mjetet
INFRASTRUKTURA/ Në Durrës, Fier dhe Vlorë gjatë paradites së djeshme janë zhvilluar protesta për problemet me rrugët
DURRËS - Bllokohet rruga automobilistike e Shkozetit në afërsi të rrethrrotullimit nga shumë banorë të pakënaqur, të cilët janë të shqetësuar për gjendjen e kësaj rruge e cila fillimisht nisi rikonstruksionin, por që më vonë punimet u ndërprenë duke bërë që një udhëtim në të të ketë kosto të rëndë për automjetet, pasi gropat e shumta dhe uji që po qëndron gjatë, bëjnë që sistemet xhenerike të makinave të dëmtohen rëndë.
Protestuesit duke mbajtur në duar parulla, i kanë kërkuar qeverisë jo vetëm të mbajë premtimin për të rregulluar rrugën, punimet e së cilës janë lënë në mes 6 muaj më pare, por edhe dorëheqjen qeverisë Berisha që, sipas tyre, ka shkaktuar këtë gjendje.
Rruga është bllokuar për më shumë se 45 minuta dhe për të stabilizuar situatën kanë shkuar në vendngjarje edhe forca policie, të cilat kanë kërkuar që të zhbllokohet situata. Ata kanë ndërhyrë duke u protestuesve të hapin rrugën për të zhbllokuar trafikun, i cili arriti në një varg kilometrik të gjatë, duke filluar nga rrethrrotullimi që përshkon unazën e Plazhit dhe segmentin që lidh Durrësin me qytetin e Shijakut.
Policia deklaroi se protesta është zhvilluar pa leje, ndërsa protestuesit thanë se ky është reagimi qytetar ndaj problemeve. Banorët kanë deklaruar se përveç rrugës që është gjithë gropa, janë bërë edhe çarjet e kanalizimeve dhe këto gropa tashmë janë plot ujëra të zeza që shërbejnë me ngrohjen e kohës edhe si burime të hapura infeksioni.
Punimet në këtë rruge janë pezulluar prej muajsh. Sipas projektit, rruga për të cilën nga qeveria kuvajtiane janë investuar 12,8 milionë euro duhet të përfundonte në muajin shkurt.
Situata është bërë alarmante sidomos në këtë stinë nga shirat të cilat këtë aks rrugor e kanë shkatërruar tërësisht, ndërsa pjesa më e madhe e tij është mbuluar nga uji duke e bërë të pakalueshme si nga makinat, ashtu dhe nga këmbësorët. Shoferët janë të revoltuar pasi nga ajo kanë pësuar mjaft dëme gjatë kalimit në këtë segment.
Sinjalistika nuk mungon vetëm në hyrje të aksit apo në segmente të caktuara, por edhe shumë pranë vendit ku punohet, duke mos u lënë shoferëve asnjë mundësi manovrimi dhe duke shkaktuar aksidente.
Punimet në aksin rrugor Ura e Dajlanit - Shkozet, 5.2 km të gjatë, kanë filluar në muajin korrik të 2009, ndërsa afati i përfundimit të tyre është shkurt 2010. Në mbështetje të banorëve kane dalë edhe deputetët socialistë të Durrësit, të cilët i kanë bërë thirrje qeverisë të kthejë vëmendjen nga kjo zonë.