Tre të plagosur me granatë për parakalim
Arrestohet agresori i cili mbeti i plagosur, pasi tentoi t'i fusë granatën në xhep shoferit me të cilin u konfliktua
TIRANË- Tre vetë mbetën të plagosur dy ditë më parë në fshatin Ndroq të kryeqytetit, pas një konflikti për parakalimin e makinave. Policia arrestoi autorin e ngjarjes me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, të plagosjes me lëndë plasëse të tre personave si dhe të mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.
Një sherr midis tre personash për parakalimin e makinave në periferi të Tiranës, përfundoi në përdorimin e një granate e njërit prej personave të përfshirë në konflikt, i cili më pas mbeti i plagosur edhe vetë.
Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në periferi të Tiranës, në fshatin Ndroq, ku Ylli Alibejsi, 32 vjeç, me banim në Durrës, dyshohet se ka tentuar të vrasë me granatë dy vëllezër të identifikuar me emrat Olgert dhe Indrit Goga me banim në Tiranë, ndërkohë që policia arreston autorin e hedhjes së granatës, i cili akuzohet për tentativë vrasjeje me municione.
Nga të dhënat e policisë së kryeqytetit mësohet se dy vëllezërit dhe i arrestuari kanë qenë duke lëvizur me makinat e tyre, ku në afërsi të Ndroqit, njëri prej tyre ka tentuar të parakalojë. Në këtë moment ka nisur dhe konflikti me fjalë midis Ylli Alibejsit, i cili po udhëtonte me makinën e tij, një "Golf 2" me targa TR 1525 J dhe Indrit dhe Olgert Gogës.
Nga të dhënat zyrtare të Policisë së Tiranës mësohet se pas sherrit me fjalë, 32 vjeçari nga Durrësi ka dalë nga makina dhe ka marrë nga aty një granatë duke tentuar t'ia vendosë në rroba personave me të cilën ai po konfliktohej.
Gjatë këtyre momenteve granata ka rënë në tokë duke shpërthyer. Sipas policisë, nga shpërthimi i granatës janë plagosur lehtë Indrit dhe Olgert Goga, por i plagosur mbeti edhe personi që e hodhi granatin, Ylli Alibejsi. Tre të plagosurit janë dërguar në spital dhe nga burimet e policisë mësohet se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pasi është njoftuar për konfliktin, i cili përfundoi me përdorimin e granatës, në vendngjarje kanë mbërritur forca të policisë së kryeqytetit, të cilët nisën hetimet për të zbardhur motivet e ngjarjes me tre të plagosur.
Mësohet se pas ngjarjes, specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit arrestuan Ylli Alibejsin si dhe shoqëruan në polici edhe dy protagonistët e tjerë të sherrit, vëllezërit Goga. Në vendngjarje policia gjeti dhe sekuestroi disa copa metalike që i përkisnin granatës së shpërthyer.
Lidhur me këtë ngjarje hetimet do të vazhdojnë edhe nga Prokuroria e Tiranës për veprat penale të vrasjes me dashje e mbetur në tentativë dhe prodhimi dhe mbajtje pa leje i armëve të zjarrit.