E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Veriut presin më shumë nga Qeveria e re

Nga Express më 29 dhjetor 2010 në ora 15:14

Xhevdet Uka, një prej banorëve që është kthyer të jetojë në Kroin e Vitakut në veri të Mitrovicës, pas rindërtimit të shtëpisë, pret që investimi në këtë lagje të vazhdojë edhe më tutje. Ai shpreson se qeveria e re që do të formohet pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit do të shtojë angazhimin për veriun.

Sipas tij, vitet e fundit shumëçka ka ndryshuar në veri fal investimit të qeverisë qendrore dhe asaj lokale. Ai tregon se deri para dy vjetësh kjo lagje ka ngjarë me gërmadha, ndërsa tash aty jetojnë dhjetëra familje që janë kthyer për të jetuar në shtëpitë dhe pronat e tyre.

“Gjatë këtyre viteve të pasluftës banorët e dëbuar nga veriu kanë jetuar në gjendje të rëndë nëpër strehimore kolektive, mandej nëpër bodrume, në banesa me qira. Ka ende familje nga veriu që jetojnë në gjendje të tillë. Duhet shtim i fondeve në mënyrë që të zgjidhet përfundimisht problemi i banorëve të zhvendosur”, ka thënë Uka.

Ai shtoi se prejse është kthyer në shtëpi në Kroin e Vitakut nuk ka pasur asnjë problem sa i përket sigurisë dhe se tashmë banorët jetojnë të relaksuar meqë është tejkaluar droja që ka qenë në fillim.

“Tash edhe banorët tjerë të cilëve ende nuk u janë rindërtuar shtëpitë nuk hezitojnë të kthehen dhe kjo është shenjë se gjendja në këtë pjesë të Kosovës po ndryshon”, ka thënë Uka.

Sipas tij, me gjithë investimet, ka nevojë të madhe për shtimin e fondeve, meqë numri i shtëpive që duhet të rindërtohen ende është i madh.

Shpresë për ditë më të mira mban edhe Adem Mripa nga Lagja e Boshnjakëve. Ai thotë se gjatë gjithë këtyre viteve është bërë shumë pak.

“Qeveria e re duhet të shtojë angazhimin për veriun. Në radhë të parë duhet shtuar kujdesin për banorët që janë duke jetuar ende në veri, në mënyrë që të krijohen kushtet që ata mos të detyrohen të shesin shtëpitë dhe të largohen prej pronave të tyre”, ka thënë Mripa.

Ai tërheq vërejtjen se banorët e veriut, megjithëse janë përballur me probleme të mëdha për shkak të rrethanave specifike, nuk kanë gëzuar ndonjë trajtim të veçantë. Mripa thotë se institucionet duhet që për banorët e veriut të krijojnë kushte më të mira për jetë.

“Duke pasur parasysh problemet e mëdha me të cilat ballafaqohen, institucionet duhet të ofrojnë trajtim ndryshe për ta. Duhet ofruar përparësi për punësim për banorët e veriut, meqë shumica prej tyre jetojnë në gjendje jo të mirë ekonomike”, është shprehur mes tjerash Mripa, duke shtuar se edhe për studentët e veriut duhet të ketë lehtësira.

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë në Mitrovicë, premtojnë se investimet në veri do të vazhdojnë.

Rasim Veseli, drejtor për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, tregon se deri më tani janë rindërtuar më shumë se 70 shtëpi dhe janë kthyer dhjetëra familje që të jetojnë në shtëpitë e tyre. Sipas tij, procesi i rindërtimit nuk do të ndalet derisa të kthehet edhe banori i fundit. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›