Deri më tash janë rinumëruar 423 vendvotime

Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se deri tani në tërësi janë numëruar 423 vendvotime nga gjithsej 760 sosh sa janë për t’u rinumëruar, ndërkaq anëtarë të këtij komisioni kanë thënë se zgjedhjet e 12 dhjetorit në përgjithësi kanë qenë në nivel të kënaqshëm.
Në mbledhjen e së mërkurës, kryeshefi i KQZ-së, Xhemail Peqani, njoftoi anëtarët e KQZ-së me aktivitetet e Sekretariatit mes dy takimeve, si dhe për procesin e rinumërimit të votave të 40 për qind të vendvotimeve në nivel vendi.
Ai ka thënë se në QNR është duke vazhduar procesi i rinumërimit me ç’rast, më datën 23 dhjetor janë rinumëruar 28 vendvotime, më datën 24 dhjetor janë rinumëruar 26 vendvotime, kurse më datën 28 dhjetor janë rinumëruar 56 sosh, që do të thotë se deri tani janë numëruar 423 vendvotime nga 760 vendvotime.
Ndonëse kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, kishte deklaruar se nuk do të ketë vëzhgues për rinumërimin e vendvotimeve deri në përfundim të festave, Peqani ka thënë se ky ka qenë keqkuptim dhe se numri i vëzhguesve është rritur.
“KQZ ka sjellë vendim që të jenë më shumë vëzhgues d.m.th. numri është i madh, jo vetëm i vëzhguesve vendor, duke filluar prej partive politike, shoqërive civile, mirëpo ka edhe vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët janë duke e monitoruar procesin edhe në këtë moment”, ka thënë Peqani.
Kryesuesi i mbledhjes së KQZ-së, Fadil Maloku, ka thënë se pavarësisht se do të ketë rivotim në disa komuna më 9 janar, zgjedhjet e 12 dhjetorit në përgjithësi kanë qenë të kënaqshme, vlerësim ky të cilin e kanë dhënë edhe vëzhguesit ndërkombëtarë.
“Nuk është vetëm vlerësim personal i KQZ-së apo vlerësim i imi, por mendoj se përgjithësisht zgjedhjet e vitit 2010, ky është edhe një mendim i vëzhguesve ndërkombëtarë, kanë qenë në nivel të kënaqshëm, që i kanë plotësuar edhe standardet ndërkombëtare”, ka thënë Maloku.
Gjithashtu, është bërë e ditur se në orët e vona të mbrëmjes do të arrijnë fletëvotimet nga Sllovenia në depon e SKQZ-së, kurse do të fillojë prodhimi i LPV për zgjedhjet e 9 janarit 2011.
Po ashtu, në ditëm e sotshme, do të bëhet edhe trajnimi i trajnerëve të komunave Skenderaj, Deçan, Drenas, Malishevë dhe Lipjan, lidhur me procedurat e votimit dhe numërimit, ndërsa nesër subjektet politike do t’i dorëzojnë në KKZ nominimet për anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve. Po nesër, do të përfundojë prodhimi i begjave për anëtarët e KVV-ve.
KQZ ka bërë akreditimin e 500 vëzhguesve për zgjedhjet e 9 janarit, ndërkohë që është përgatitur shkresa drejtuar Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave lidhur me buxhetin shtesë për rivotim në tri komunat dhe dy qendra votimi në Malishevë dhe Lipjan. /kosovapress/