E Shtunë, 31 Tetor 2026

PTK do ta padisë TEB Bankën

Nga Express më 29 dhjetor 2010 në ora 18:00

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) tashmë ka filluar përgatitjet për të paditur TEB Bankën, pasi kjo e fundit kundër rregullave ka publikuar xhirollogaritë 311 punonjësve të PTK-së dhe kryeshefit ekzekutiv Shyqyri Haxha. Zyrtarët e PTK-së thonë se TEB me nxjerrjen dhe publikimin e sekretit afarist e ka shkelur marrëveshjen e konfidencialitetit dhe e ka dëmtuar PTK-në.

Gjatë një konference për media zëdhënësi i PTK-së, Menduh Abazi ka thënë se është vajza e ish drejtorit financiar Isa Krasniqit, ajo që muajin e kaluar kundër rregullave ka dhënë për dy gazetarë xhirollogaritë e punonjësve të PTK-së.

“PTK-ja ka qenë e hapur të bashkëpunoj me këtë bankë dhe ka nisur bashkëpunimin, megjithatë është ndërprerë dhe në bazë të asaj që kemi marrë informatat deri më sot del se sa herë që menaxhmenti aktual ka përmendur ish- menaxhmentin se po bënë trysni dhe shantazhe të ndryshme ka pasur të drejt dhe ky është rast eklatant që vërteton këtë. Në bazë të informatave që ne kemi marrë direkt nga banka, në fakt hetuesi ynë me bashkëpunimin që ka pasur me zyrtarët e TEB Bankës ka parë se vajza e ish- drejtorit financiar të PTK-së, Iliriana Krasniqi është ajo e cila ka dërguar në media në mënyrë të paautorizuar këto të dhëna me të cilat e ka dëmtuar PTK-në”, ka thënë Abazi.

Zyrtarët e PTK-së tregojnë se pas nxjerrjes dhe publikimit të sekretit afarist kanë biseduar me drejtuesit e TEB Bankës lidhur me hapat që duhet ndërmerren pasi është shkelur marrëveshja e konfidencialitetit, por deri tani nuk është kthyer asnjë përgjigje nga banka.

Në këtë rast, zëdhënësi Abazi tha nxjerrja dhe publikimi e sekretit afarist është vetëm edhe një prej shantazheve që ish- menaxhmneti i PTK-së po bënë ndaj drejtuesve aktual të PTK-së.

“Isa Krasniqi i cili ka qenë drejtor financiar është edhe njëri prej dëshmitarëve ashtu ta quaj në procesin e hetimeve që janë duke u zhvilluar në PTK nga EULEX-i. Kjo ka qenë edhe një pengesë edhe një tjetër shantazh i drejtuar PTK-së nga këta njerëz të cilët vullnetarisht sikurse Isa Krasniqi janë larguar nga PTK-ja”, është shprehur ai.

Nga ana tjetër, Muhamet Xhemajli nga Departamenti i Hetimeve në PTK, i cili ka marrë pjesë në takimin e vetëm që është organizuar mes PTK-së dhe TEB Bankës për sqarimin e këtij rasti, ka thënë se pas marrjes së informacionit mbi publikimin e listës së pagave në media, Departamenti i Hetimeve së bashku me Departamentin e IT-së në kuadër të PTK-së ka vazhduar me hulumtime rreth rastit të publikimit të të dhënave në media.

Të dhënat e xhirollogarive kundër rregullave dhe marrëveshjes për konfidencialitet, janë publikuar në gazetat ditore Koha Ditore dhe Zëri. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›