E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një president që i mbron interesat e qytetarëve

Nga Express më 29 dhjetor 2010 në ora 16:34

Mesazhin që e dhamë në zgjedhjet e 12 dhjetorit, nuk është i mirë as për partitë politike në Kosovë, nuk është i mirë as për qytetarët e Kosovës, nuk është i mirë as për institucionet e Kosovës, ka thënë ushtruesi i detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

“Realisht është folur shumë, është folur edhe ndoshta për vjedhje votash mes partive politike, mes kandidatëve të partive politike në përgjithësi, dhe jo vetëm të një subjekti politik. Por tani për tani mendoj që është duke u punuar në verifikimin e këtyre. Komisioni Qendror Zgjedhor, përmes trupave të vet do të verifikon, dhe siç po duket deri më tash nuk ka dallime mes votave të subjekteve politike, nuk ka ndonjë informacion se ka pas dallime mes subjekteve të partive politike, me gjithë atë, duhet pritur përfundimin e këtyre rezultateve për të parë saktësisht se si është gjendja atje”, ka thënë Krasniqi, në një intervistë për KosovaPress,

“Duke qenë i penguar për shkak të detyrave ditore që i kam pas, edhe si kryetar i Kuvendit edhe si president në detyrë, unë nuk kam mund të zhvilloj aktivitetet politike në komuna të ndryshme të Kosovës, por me gjithë atë unë besoj që kam marrë aq vota sa mu më mjaftojnë për të qenë pjesë e Kuvendit të ardhshëm të Republikës së Kosovës, dhe për mua kjo është e rëndësishme. Me gjithë atë ende nuk e dimë rezultatin përfundimtar, por nuk dua të merrem se kush kujt i murrë, në këtë rast a murr dikush vota a jo, për mua është e rëndësishme që ta përmbyllim këtë me sukses, institucionet që e kanë përgjegjësinë kushtetuese dhe janë të pavarura, t’i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre dhe pasi të bëhet certifikimi i krejt këtij procesi, atëherë ne mund të kemi një mëndim më të qartë, se cili ishte rezultati, cilat ishin pasojat, dhe ku u gabua. Tani për tani gjithçka është në nivelin e thashethemeve”, ka shtuar Krasniqi.

Ai nuk e fsheh dëshirën që në të ardhmen të jetë president i Republikës së Kosovës, por nëse i kërkohet ta vazhdojë detyrën e kryetarit të Kuvendit, nuk do ta pengon.

“Nëse dakordohemi edhe në subjektin politik, por edhe me subjektet tjera politike, për ta ushtruar detyrën edhe të presidentit të zgjedhur pas krijimit të institucioneve të Kosovës, natyrisht unë nuk do ta kundërshtoja, për vetë faktin se unë do ta dëshiroja të përmbylli shekullin tim të politikës, edhe me një pozitë që nuk është thjesht e dhuruar nga subjekti politik dhe për subjektin politik, por në një pozitë që është në shërbim të qytetarëve të Kosovës pa dallim dhe natyrisht si përfaqësues i shtetit të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›