Raporti i Martyt, frymëzim antishqiptar
Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se raporti i eurodeputetit Dick Marty është një frymëzim antishqiptar i atyre që asnjëherë nuk janë pajtuar me integrimet e Kosovës dhe Shqipërisë.
“Raporti i Dick Martyt është për llogari të atyre qarqeve që asnjëherë nuk janë pajtuar me pavarësinë e Kosovës, që nuk janë pajtuar me integrimin e Kosovës dhe Shqipërisë në rrjedhat euroatlantike”, ka thënë Meta të martën, gjatë qëndrimit në Gjakovë, ku ka pasur takimi me kryetarin e Komunës, Pal Lekaj.
Sipas tij, nuk është hera e parë që qarqe të tilla nacionaliste, ekstremiste në Serbi frymëzojnë sulme të tilla ndaj Kosovës e Shqipërisë.
“Janë ato qarqe që janë të lidhura me përgjegjësinë e atij gjenocidi që ndodhi në Kosovë, në Bosnjë, në gjithë Ballkanin, pra janë pasuesit e politikës së Slobodan Milosevicit”, ka thënë Meta.
Ai paralajmëroi se, Shqipëria do të nisë me intensitet një fushatë ndërkombëtare, një ofensivë për të çmontuar këtë raport.
Meta, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Genc Ruli, e ka vizituar Gjakovën, me qëllim të falënderimit nga aty popullin e Kosovës, i cili edhe këtë herë ka ndihmuar shqiptarët pas vërshimeve të javëve të fundit në zonën e Shkodrës. Pos kryetarit të Gjakovës, Meta e Ruli kanë takuar edhe krerët e komunave të Ferizajt, Prizrenit, Deçanit dhe Junikut.