Beqaj: Do t’i plotësojmë të gjitha kushtet për heqjen e vizave

Ministri në largim i Integrimeve Evropiane, Besim Beqaj, ka shprehur besimin se vendi ynë deri në fund të vitit të ardhshëm do të plotësojë të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.
Në një konferencë për media të mërkurën, Beqaj ka qëndruar prapa fjalëve të kryeministrit në largim Hashim Thaçi se brenda 15 muajve kosovarët do të udhëtojnë pa viza në BE.
“Do të vazhdojmë me plotësimin e kushteve për hyrje në listën e bardhë dhe jemi të bindur që do ta bëjmë deri në fund të 2011. Do të vazhdojmë fuqishëm për të harmonizuar qëndrimet tona sa i përket marrëdhënieve tregtare dhe në mënyrë kontinuele do ta bëjmë edhe vazhdimin e procesit të stabilizim-asociimit apo dialogut të stabilizim-asociimit që është i njëjtë, por ka një tematikë të ndryshme me vendet tjera që kërkon reforma të thella institucionale”, ka thënë Beqaj, siç transmeton Kosovapress.
Ai ka theksuar se prioritet i ministrisë që ai drejton vitin e ardhshëm do të jetë përgatitja e vendit për të hyrë në BE.
“Është përcaktuar që edhe vitin e ardhshëm prioritet i vendit do të jetë përgatitja e vendit për integrim, por edhe reformat të cilat janë kërkuar, jo vetëm sa për të thënë për ta përgatitur vendin për Bashkimin Evropian, por për të bërë jetën më të mirë për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Beqaj.
Beqaj ka shprehur bindjen se më 1 janar 2012 do të informojnë Komisionin Evropian që Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet të cilat janë paraparë. Ndërsa sa i përket 5 vendeve nga BE-ja që nuk e kanë njohur Kosovës, ai e ka cilësuar si një pengesë shtesë.
“Vetë fakti që i kemi pesë vende anëtare të BE-së që nuk e kanë pranuar Kosovën është komplikim shtesë dhe kjo ka treguar me parakushte e strategjisë për liberalizim të vizave, sepse shumica e shteteve të cilat e kanë marrë strategjinë apo udhërrëfyesin, ato nuk kanë qenë të kushtëzuar me kaq shumë parakushte që neve i kemi pasur dhe i kemi plotësuar. Pra, është fjala që kemi një kërkesë më të madhe dhe kemi pesë anëtarë të cilët hezitojnë të hyjnë në marrëdhënie kontraktuale me Kosovën”, ka theksuar Beqaj.
Ndërsa sa i përket kushteve që duhet plotësuar për të hyrë në Zonën e Shengenit, Beqaj ka përmendur menaxhimin e integruar të kufijve, dhënien e pasaportave biometrike dhe dokumenteve tjera.