E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët e pallatit 63, tre muaj pa ujë

Në orën katër të mëngjesit, në një nga rrugët e Tiranës, shikon njerëz me bidonë dhe kova nëpër duar, që vrapojnë të mbushin ujë. Nëse nuk kapin orarin mbeten pa ujë. Që prej tre muajsh, banorët e pallatit numër 63 në rrugën "Ferit Xhajko" në Tiranë, kanë probleme në furnizimin me ujë të pijshëm. Sipas banorëve të këtij pallati, gjithçka vjen si pasojë e një shtese që komshiu i katit të parë ka bërë mbi tubacionin e ujit të pijshëm. Banorët janë ankuar tek Ujësjellësi dhe në Bashkinë e Tiranës, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Po ashtu, ata i kanë bërë një peticion edhe drejtorit të Ujësjellësit, por asnjë rezultat. Për shtesën që ka sjellë edhe probleme në furnizimin me ujë, ata janë ankuar në sektorin e urbanistikës pranë Bashkisë së Tiranës, por edhe atje nuk i kanë dhënë zgjidhje. Gjatë tre muajve të fundit, banorët e pallatit nuk kanë asnjë pikë ujë gjatë gjithë ditës, ndaj dhe detyrohen që të ngrihen që në orën katër të mëngjesit dhe të mbushin ujë pranë një banese që është shumë larg nga pallati. Me bidonë dhe kova në duar kalojnë mes përmes trafikut të ngarkuar, për shkak të tregut të fruta- perimeve që ndodhet atje pranë. Banorët kërkojnë që shtesa e ngritur mbi tubin kryesor të ujit të pijshëm të prishet, ose në të kundërt Ujësjellësi të gjejë një zgjidhje që edhe ata të kenë ujë në banesat e tyre. Në mikrofonin e emisionit "Fiks Fare", ata i bëjnë thirrje organeve kompetente që të gjejnë një zgjidhje për problemin e tyre, pasi kanë më se tre muaj që vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm dhe tashmë me ftohjen e motit e kanë të pamundur të dalin të mbushin ujë me kova dhe legenë, që në orën 4 të mëngjesit, pasi ky ritual për ta është i përditshëm që prej tre muajsh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›