E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga Levan-Fier, pronarët e tokës dy vjet pa shpronësim

Shteti shqiptar nuk është korrekt me detyrimet e tij. Rruga Levan-Vlorë po ndërtohet mbi toka të pronarëve, të cilëve u është zënë pasuria dhe nuk u është kompensuar. Pas shumë e shumë përpjekjeve, sorollatjeve dhe humbjes së shpresës, ata erdhën tek "Fiks Fare". Shuma që u detyrohet shteti nuk është pak, por 310 milionë lekë. Banorët ankohen sepse që prej një viti duhej të bëhej kompensimi dhe dëmshpërblimi i dy viteve të tokës së pambjellë. Ata përplasen në komunë, por ajo nuk u ka zgjidhur asnjë nga problemet e tyre. Së bashku me banorët, që kërkojnë lekët e tyre, gazetarët e "Fiks Fare" shkojnë në Komunën e Novoselës. Atje marrin përgjigjen se kryetari i Komunës së Novoselës, Rait LLanaj, është thelluar në një studim. Kur grupi i xhirimit të "Fiks Fare" hyn në zyrën e tij, e gjejnë të "thelluar" në shtypin e ditës. I nervozuar nga hyrja e gazetares dhe operatorit, çohet e desh rreh gazetaren, por përmbahet dhe vetëm sa e fyen "pak" me fjalët "rrugaçe, idiote". Për çështjen e banorëve që e kanë zgjedhur, nuk jep përgjigje, por kyçet në ambulancë. Banorët i kanë dërguar letër Kryeministrit Sali Berisha. Më e fundit është ajo e 1 korrikut të këtij viti, por nuk ka ardhur asnjë përgjigje. Meqë kryetarit të komunës i dhemb koka nga gazetarja dhe banorët vazhdojnë të mos marrin asnjë lek për tokat e tyre, pyetëm zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Rrugëve në Ministrinë e Transportit, Ylli Gjoni. Për çudi, ankesa dhe shqetësimi i banorëve të kësaj zone nuk kishte mbërritur në Ministrinë e Transporteve. Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Rrugëve është i kënaqur me ecurinë e punimeve në këtë segment rrugor, por nuk është në dijeni të revoltës së banorëve të Novoselës. Meqenëse nuk ka dijeni për këtë kërkesë dyvjeçare të pronarëve të tokës deklaron se "nuk besoj se ata mund të shkojnë deri në ekstrem dhe se puna e kompensimeve është problem në të gjithë vendin". Ndërkohë që të gjithë jemi vënë në dijeni të lajmit se me një vendim qeverie është përcaktuar se pronarët e pasurive të paluajtshme dhe prona private do të kompensohen me vlerën e plotë. Ndërsa për tokën arë, pronarët do të kompensohen me çmimin 1600 lekë për metër katror. Kur u bë projekti, iu kërkua pronarëve, në tokën e të cilëve do të ndërtohet segmenti rrugor Levan-Vlorë të dorëzonin pranë bashkive ose komunave përkatëse pretendimet e tyre për kompensim të pronës. Pas përfundimit të verifikimit, dokumentet kanë kaluar në Ministrinë e Transporteve, e cila ka përcaktuar masën dhe kriteret e kompensimit në bazë të rregullave. Megjithëse Ministria e Transportit kishte vendosur një afat dymujor që subjektet e shpronësuara të paraqesin pranë këtij institucioni ankesat, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Rrugëve nuk kishte dijeni për ankesat e banorëve të Komunës së Novoselës.

Punimet parashikojnë ndërtimin e një seksioni të ri rrugor nga Levani (19 kilometra në jug të qytetit të Fierit) drejt qytetit të Vlorës. Gjatësia totale e këtij seksioni është 24.2 kilometra dhe parashikohet të ndërtohet si rrugë me katër korsi. Gjithashtu, ky segment është pjesë e rrugës transevropiane, Korridori 8.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›