E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Banorët e shkollës 6” edhe në sheshe publike

03/09/2009  Janë përzgjedhur në një audicion të hapur, ashtu siç ndodh jo shpesh në skenën tonë teatrore. Janë të gjithë të rinj dhe shumë shpejt do të nisin përgatitjet për një shfaqje të re, që së pari do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar. Pas audicionit të zhvilluar në datat 25 dhe 26 gusht në Teatrin Kombëtar, aktorët e përzgjedhur nëpërmjet dy etapave për të marrë pjesë në komedinë “Banorët e shkallës 6” të autorit Kin Dushi, me regji të Sonila Ulqinakut, janë Dejvis Muka, Lisa Kujovska, Klodian Hoxha, Xheni Demi. Komedia është vepër e autorit Kin Dushi, lindur në Shirokë të Shkodrës më 27 maj 1922 dhe burgosur nga sistemi totalitar për romanin “Një emër mes yjeve”. Më 1988 i rikthehet letërsisë. Nis të shkruajë “Njeriu me proteza”. Punën e ndërpret deri më 1992-shin për shkak të problemeve që kishte me shikimin. Vdiq më 1994, duke lënë të papërfunduar “Njeriu me proteza”. Komedia “Banorët e shkallës 6” është vënë në skenë për herë të parë nga regjisori Mihallaq Luarasi në vitin 1963. Këtë herë do të vijë në skenë në një formë krejt tjetër në regjinë e Sonila Ulqinakut, pedagoge e “Fjalës artistike” në Akademinë e Arteve. Për regjisoren shfaqja synon të përcillet dhe të jetë një sfidë e re për të sjellë personazhe shqiptare në grotesk dhe për të afruar sa më shumë publikun me teatrin. Përveç ditëve që do të shfaqet në sallën e Teatrit Kombëtar, kjo komedi do të shfaqet vazhdimisht edhe në sheshe publike, si në sheshin “Nënë Tereza”, te Liqeni, para Galerisë Kombëtare të Arteve etj. Skenografia dhe kostumografia do të vijnë nën realizimin e Klajd Kapidanit dhe muzika nga Fabian Asllani.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›