E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvritet me një plumb në ballë 19-vjeçari

03/09/2009  Ngjarja në fshatin Shetel të Shijakut. Prej muajsh ndodhej në gjendje depresive

Policia hetime për konsumim droge apo shkaqe që e çuan të riun drejt aktit fatal

DURRES- Një plumb në mes të ballit i ka sjellë vdekjen e menjëhershme 19-vjeçarit Ergest T. Krimi që mendohet se është vetëvrasje e shkaktuar nga gjendja depresive është realizuar me anë të një automatiku që mbahej në familje pa leje. Djali i shtëpisë ka gjetur kohën kur në shtëpi nuk ka pasur asnjë pjesëtarë të familjes dhe pasi ka marrë automatikun është futur në dhomë dhe e ka shkrehur. Viktima është marrë nga policia për ekzaminim mjeko-ligjor, ndërkohë që për vrasjen në Shijak kanë ardhur në Durrës edhe ekspertë të kriminalistikës nga Drejtoria e Antikrimit në Tiranë. Në shtëpinë e shtetasit Xhevat T. në fshatin Shetel të Shijakut janë dëgjuar dy krisma arme, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e lagjes. Banorët kanë shkuar drejt shtëpisë së Tudës, por në të njëjtën kohë kanë mbërritur edhe familjarët, të cilët kanë hyrë me nxitim në banesë. Burime policore thonë se në dhomën e pritjes është gjetur i shtrirë në dysheme dhe i mbuluar në gjak djali i shtëpisë, Ergest T, 19 vjeç. I riu ka qenë i vetëm në banesë, ndërsa flitet se ai kishte disa muaj që vuante nga gjendja depresive. I riu në çastet kur kanë hyrë prindërit nuk ka dhënë asnjë shenjë jete, pasi plumbi e kishte goditur në kokë. Gjithnjë sipas policisë në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja automatiku model 56, kalibri 7.62 mm, arma e krimit, një automatik model kinez me numër 2004085, me qytë metalike si dhe në folenë e armës një fishek tjetër. Familjarët dhe banorët e lagjes kanë tentuar të afrojnë ndihmë dhe e kanë lëvizur djalin pa ardhur grupi i hetimit, por 19-vjeçari ka rezultuar i vdekur pak çaste pas dëgjimit të krismave. Grupi hetimor ka mundur të rindërtojë skemën e këtij krimi të rëndë dhe është shprehur zyrtarisht se 19-vjeçari është vetëvrarë. Krimi duhet të jetë paramenduar pasi Tuda ka vendosur të qëllojë veten me armë në kohën që shtëpia ka qenë pa asnjë familjar brenda. Paraprakisht flitet për një krizë të fortë mendore të viktimës, por grupi hetimor do të shkojë edhe më tej për të mësuar se cili është shkaku i rënies në gjendje depresive të 19-vjeçarit. Familja nuk kishte probleme ekonomike dhe mësohet se prindërit dhe pjesëtarët e tjerë të familjes e të afërmit kanë pasur marrëdhënie shumë të mira me viktimën. Policia do të hetojë nëse i riu ka qenë konsumator droge apo jo si dhe ka kërkuar detaje më shumë lidhur me gjendjen shëndetësore të të riut, vizitat mjekësore, recetat, kartelën etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›