Teatri Kombëtar, sezoni çelet nga “Forca e zakonit”
03/09/2009 Është e njëjta shfaqje që ka mbyllur sezonin e mëparshëm. “Filli” duket se vijon aty ku është “këputur”. Nuk bëhet fjalë për ndonjë premierë të re apo shfaqje tjetër. “Forca e zakonit” është pjesa që është menduar të çelë sezonin artistik në Teatrin Kombëtar gjatë këtij muaji. “Forca e zakonit”, vepër e shkruar nga dramaturgu austriak Tomas Bernard, u vu për herë të parë në skenën shqiptare më 20 qershor 2009 nga regjisori austriak Kristian Papke falë një bashkëpunimi mes ambasadës austriake në Shqipëri dhe Teatrit Kombëtar. Në këtë komedi me karakter absurd interpretojnë aktorët Vasian Lami, Neritan Liçaj, Arben Derhemi si dhe akrobatë e balerinë, si Suada Hoxha dhe Elton Çefa. Në qendër të shfaqjes është një drejtues cirku, i vetmi personazh që mban një emër, Garibaldi, si dhe pjesëtarët e tjerë të arenës së cirkut: akrobatja, zbutësi i kafshëve, zhongleri dhe gaztori. Të katër personazhet janë nën pushtetin dhe diktaturën e Garibaldit, i cili ka lënë mënjanë arsyen dhe kërkon prej tyre përkushtim absolut për krijimin e një kuinteti tromfash. Loja e aktorëve dhe regjia e Bernard vjen e ndërthurur me lëvizjet akrobatike të realizuara nga Gjergj Prevazi, ndërsa vepra është përkthyer në shqip nga Jonila Godole. Mesazhi që sjell kjo shfaqje është se në jetë njerëzit janë të detyruar të bëjnë shumë gjëra dhe pa dëshirën e tyre, por për hir të jetës ato duhen çuar deri në fund.
Ndërkohë një vepër interesante pritet të vijë premierë më pas në Teatrin Kombëtar. Bëhet fjalë për shfaqjen “Kush ka frikë nga Virxhinia Ulf”, por përgatitjet janë ende në fazën përzgjedhëse të aktorëve, megjithëse pritet që provat të fillojnë sa më shpejt.
Ndërkohë një vepër interesante pritet të vijë premierë më pas në Teatrin Kombëtar. Bëhet fjalë për shfaqjen “Kush ka frikë nga Virxhinia Ulf”, por përgatitjet janë ende në fazën përzgjedhëse të aktorëve, megjithëse pritet që provat të fillojnë sa më shpejt.