E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e tërmetit protestë për lekët

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

Banorët e komunës Gjoricë në rrethin e Bulqizës kanë kërcënuar me protestë sot paradite, duke pretenduar se dëmi i shkaktuar nga tërmeti i 6 shtatorit nuk ka qenë real.Të shqetësuar se disa nga familjet vazhdojnë të jetojnë në çadra dhe se paratë e dhëna nga qeveria nuk mjaftojnë për të rindërtuar shtëpitë apo për t’i rehabilituar ato, banorët janë shprehur mbrëmë për gazetën “Panorama” se do të grumbullohen në oborrin e komunës për të zgjidhur dy kërkesa. Së pari, rivlerësimin e dëmeve të shkaktuara sepse komisionet e para kanë kryer një punë rutinë dhe me porosi për të mos vlerësuar siç duhet dëmet e shkaktuara dhe së dyti, do të kërkojnë publikimin e listave të miratuara nga qeveria në vende publike. “Ne kemi dyshimet tona se janë dëmtuar nga ky vlerësim familje, shtëpitë e të cilave janë rrënuar totalisht dhe kemi të dhëna jozyrtare se janë favorizuar familje që janë larguar prej vitesh nga Gjorica dhe banojnë në Durrës, Tiranë a gjetkë. Kjo është një padrejtësi, të cilën ne nuk mund ta pranojmë. Do të përdorim të gjitha mjetet demokratike që shtëpitë tona të rivlerësohen, të përcaktohet qartë sa është vlera e dëmit dhe jo të tallen me ne. Ka shtëpi për të cilat duhen miliona lekë për ta ngritur sërish, ndërkohë komisionet e famshme e kanë vlerësuar dëmin në disa mijë lekë”. Kështu u shprehën dje banorë të fshatit Cerenec, të cilët pritet t’u bashkohen protestuesve sot në qendër të komunës Gjoricë. Banorët thanë se u ishte premtuar nga prefektura Dibër rivlerësimi i dëmeve në rast ankimimi, por tani, pas vendimit të fundit të qeverisë prefektura është shmangur nga çdo lloj përgjegjësie, duke ia lënë gjithçka në dorë këshillit të Qarkut Dibër, zyrtarët e të cilit sipas banorëve nuk janë parë gjatë ditëve të emergjencës civile në rrethet Bulqizë, Dibër e Mat. Protesta e banorëve të Gjoricës lidhet edhe me deklarimet e fundit të zyrtarëve të lartë të emergjencave civile në Ministrinë e Brendshme se në këtë zonë asnjë familje nuk banon në çadra. Organizatorët e protestës u shprehën mbrëmë se protesta do të jetë paqësore dhe do të synohet një pjesëmarrje masive e familjeve të dëmtuara më rëndë dhe që nuk janë kompensuar siç duhet për dëmin e pësuar. Pak ditë më parë, banorë të zonës pohuan se janë rreth 30 familje që jetojnë në çadra, duke e pritur kështu motin e ftohtë e në disa vende dhe me borë. Ndërkaq, pjesë e madhe e tyre thanë se në banka kanë marrë rreth 50-60 mijë lekë të reja, për të cilat nuk u del as të blenë ushqime e rroba e jo më të rindërtojnë shtëpinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›