E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërron jetë Dhimitër Xhuvani



Ndërroi jetë dje në Tiranë shkrimtari, dramaturgu dhe skenaristi i njohur, Dhimitër Xhuvani. Pas një sëmundjeje të rëndë, Xhuvani mbylli sytë për të fundit herë, duke sjellë kështu një humbje të madhe jo vetëm për familjen e të afërmit e tij, por për të gjithë kulturën shqiptare. Një sërë personalitetesh të artit me në krye ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve bëjnë një homazh për këtë ngjarje, duke e quajtur ikjen e Dhimitër Xhuvanit si një humbje për të gjithë kulturën dhe letërsinë kombëtare dhe për ata mijëra lexues e shikues që kanë ndjekur me interes e vëmendje veprat e krijuara prej Dhimitër Xhuvanit. Dhimitër Xhuvani lindi më 23 maj 1934, në një familje intelektuale në Pogradec. Pas mbarimit të shkollës së mesme për mjekësi ai punoi për disa vite me radhë në zonën e Librazhdit. Më pas studjoi në Moskë për letërsi. Pas kthimit në Shqipëri, punoi në shtypin letrar pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Pas botimit të romanit “Tuneli”, Xhuvani u dënua nga regjimi i kohës dhe u detyrua të punojë si punëtor në kantiere të ndryshme ndërtimi. Me shpirtin krijues që e karakterizonte, me dashurinë për letërsinë dhe artin, me humanizmin e gjerë dhe të pashoq, shkrimtari vazhdoi të shkruante dhe të botonte deri në fund të jetës së tij. Korpusit krijues të Dhimitër Xhuvanit i përkasin një numër i madh tregimesh, novela, romane, drama, skenarë filmash artistikë etj. Veprat e tij të para “Kambana e fundit”, ”Midis dy netëve” dhe ”Tuneli” dëshmojnë për një shkrimtar që u vu në radhët e para të asaj plejade shkrimtarësh shqiptarë, të cilët bënë përpjekje të shumta për të zhvilluar dhe emancipuar këtë letërsi. Xhuvani, deri në fund jetës së tij i mbeti besnik kësaj prirjeje dhe iu për kushtua me devocion e me të gjitha energjitë përparimit të saj. Një kontribut të ndjeshëm ka dhënë edhe në fushën e dramaturgjisë e të kinematografisë kombëtare. Skenarët e shumtë dhe mjaft të njohur e radhisin atë ndër emrat më të përmendur të shkrimtarëve që ndihmuan për zhvillimin e kinematografisë sonë. Një nga skenarët më të njohur të tij, “I dashur armik”, të cilin e realizoi në bashkëpunim të ngushtë me të birin, është pritur mjaft mirë në festivale e aktivitete të ndryshme ndërkombëtare. Xhuvani kaloi një jetë të cilën ia kushtoi me devocion letërsisë, dramaturgjisë dhe kinematografisë shqiptare. “Emri i tij do të kujtohet dhe do të nderohet gjatë si një nga emrat me kontribut të shquar në kulturën kombëtare.” Përfundon homazhi i dërguar nga MTKRS, i cili në fund të tij mban emrat: Dritëro Agolli, Dhimitër Anagnosti, Suzana Turku, Teodor Laço, Sabri Godo, Bardhyl Londo, Fatos Arapi, Vladimir Prifti, Mihallaq Luarasi, Saimir Kumbaro, Rikard Ljarja, Kristaq Skrami, Aurel Plasari, Mevlan Shanaj, Petrit Malaj, Drita Pelingu, Fatos Kongoli, Musa Vyshka dhe
Natasha Lako

20 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›