NËNË TEREZA, katolikët kundër kërkesës së Berishës për sjelljen e eshtrave në Shqipëri
Pas reagimeve dhe indinjatës të zyrtarëve të lartë të qeverisë indiane mbi kërkesën e kryeministrit Berisha për të kthyer në atdhe eshtrat e Nënë Terezës, duket se edhe përfaqësuesit e Kishës Katolike të Shqipërisë nuk janë dakord me këtë kërkesë. Ndonëse ideja për ta pasur në Shqipëri eshtrat e Nënë Terezës, në përvjetorin e 100 të lindjes së saj mund t’i pëlqejë shumë bashkëkombasve, duket se një propozim i tillë është i pavend dhe u krye në mënyrën më të gabuar nga qeveria shqiptare. I pyetur nga televizioni “Alsat”, përfaqësuesi i Kishës Katolike, dom Gjergj Meta ka shpjguar se procesin e shenjtërimit që merr në konsideratë jo vetëm mrekullitë, por çdo element që ka të bëjë me jetën e saj, madje edhe letrat e Nënë Terezës të botuara pak kohë më parë, në të cilat ajo rrëfen errësirën e shpirtit. “Vetë Nënë Tereza tha se ‘nëse një ditë do të jem shenjtë, do të jem Shenjte e errësirës’. Këtu qëndron edhe merita e madhe e Nënë Terezës. Kjo jo vetëm nuk e ngadalëson procesin, por përndryshe edhe e përshpejton, sepse mbi të gjitha, ajo qëndron besnike dhe thotë ‘kërkoj vetëm Zotin dhe e di që vepra që unë po bëj është vepra e tij’” shprehet dom Gjergj Meta. Përfaqësuesi i Kishës Katolike nuk parapëlqen të mbajë një qëndrim zyrtar ndaj kërkesës së kryeministrit Berisha për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës në Shqipëri, por në të njëjtën kohë, ai bën të ditur se shenjtorët nuk zhvarrosen nga vendet ku kanë vdekur por eshtrat e tyre qëndrojnë aty dhe këto vende, kthehen në pika pelegrinazhi për besimtarët. Pra, sipas dom Gjergjit eshtrat e Nënë Terezës marrin më tepër kuptim aty ku dhe ka lindur dikur misioni i saj, në Kalkutën e varfër të Indisë. Ai thotë se “Varret e shenjtërve përgjithësisht bëhen vende pelegrinazhesh. Varri nuk është thjesht një varr në vetëvete, por ështe krejt një kontekst në të cilin ka lindur vepra, karizma e Nënë Terezës, që është India, është Kalkuta.”
Eneida Bega, vogëlushja që u bekua nga Nënë Tereza para 20 vitesh
Eneida Bega ka pasur fatin të takojë Nënë Terezën dhe foton e atij çasti e ruan si një kujtim të shtrenjtë. 20 vjet më parë, gjatë njërës prej vizitave të para të Shenjtores shqiptare në vendin e saj, vogëlushja nga Durrësi ka marrë bekimin e Nënë Terezës. Sot, në ditën e Lumtërimit të gruas së madhe të planetit Eneida Bega, tregon për ATSH-në se "gjithçka ka ndodhur pas një koncerti në kampin e fëmijëve në Plepa të Durrësit, ndërsa fotoja e rrallë e gushtit të vitit 1989 është shkrepur nga një fotoreporter i ATSH-së. “Isha vetëm 5 vjeç dhe bashkë me plot njerëz të tjerë ishim afruar ta shikonim Nënë Terezën, kujton Eneida. Mami më kishte shpjeguar, siç mund t’i tregohet një fëmije, se gruaja imcake e veshur me pelerinën e bardhë kishte ndihmuar mijëra njerëz në mbarë botën. Pak minuta më vonë, nga vendi ku ishte ulur, Nënë Tereza i hodhi sytë tek unë dhe më thirri me shenjë”, kujton hollësisht Eneida, e cila tani është 25 vjeç dhe studion në fakultetin e gjuhëve të huaja në Rimini. “Në ato çaste ndihesha e ndrojtur dhe gati e frikësuar, por përkthyesja mi mblodhi duart rreth gjoksit, duke më treguar që Nënë Tereza kishte dëshirë të lutej për mua dhe të më bekonte”, vijon ajo. Kanë kaluar 20 vjet dhe për Eneidën ky takim, që është fiksuar në foton e mjeshtrit Petrit Kumi dhe mbetet një nga kujtimet më të bukura të jetës së saj. “Kur flas me të tjerët gati nuk më besojnë pasi është e rrallë të takosh dhe të kesh fatin të të bekojë Nënë Tereza”, përfundon Eneida.
Partia Demokristiane: “Nënë Tereza nuk është vlerësuar sa duhet nga shqiptarët”
“Nënë Tereza ende nuk është kuptuar, vlerësuar dhe nderuar siç e meriton në vendin e saj, nga bashkëatdhetarët e saj.” Kështu shprehet mes të tjerash Partia Demokristiane shqiptare në komunikatën e dërguar për shtyp me rastin e përvjetorit të lumturimit të “shenjtores” tonë. Në deklaratën e PDK-së, më tej thuhet se “Ne edhe për vendosjen e një shtatoreje të saj jemi futur në debate publike dhe për fat të keq shtatoret e saj janë vendosur ose në kryqëzime rrugesh, ose në skuta të fshehura e të harruara. Dhënia e emrit të saj aeroportit, një qendre spitalore, apo ngritja e një monumenti modest në qendër të Shkodrës nuk mjafton.” Sipas PDK-së, shtatorja e Nënë Terezës e ka vendin në sheshin qendror të Tiranës, krahas shtatores së Gjergj Kastriotit, si dhe në sheshet e tjera të qyteteve shqiptare, sepse ajo është jo vetëm krenaria jonë si komb, por edhe udherrëfyesja jonë shpirtërore për të ndërtuar të ardhmen tonë europiane, për të ndërtuar një jetë të bazuar mbi vlerat dhe dashurinë hyjnore. PDK i propozon qeverisë shqiptare ngritjen e një muzeu të Nënë Terezës në Tiranë, ku fëmijët, të rinjtë dhe të gjithë shqiptarët të kenë mundësi të njihen me jetën dhe mesimet e saj të çmuara ndërkohë që fton ministritë përkatëse të mbështetin botimin e krijimtarisë së Nënë Terezës dhe të librave që janë shkruar për jetën e Nënë Terezës, që brezi i ri të njihet më mirë me jetën, veprën dhe mësimet e Nënë Terezës.
20 Tetor 2009