E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni, ende larg hapja e ambasadave



Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Maqedoninë, për Kosovën nuk do të thotë hapje e menjëhershme e ambasadës në Shkup. Ky konsiderohet si një hap i rëndësishëm, që pritet të kalojë sipas procedurave të rregullta, pa ndonjë procedurë të përshpejtuar thonë zyrtarët në Prishtinë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pritet të dekretojë fillimin e procedurave për hapjen e ambasadës së Kosovës në Shkup. Akreditimi i procedurave për hapjen e ambasadës atje pason vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërshtetërore, pas marrëveshjes së arritur për demarkacionin fizik të kufirit. Emërimi i ambasadorit dhe hapja e ambasadës së Kosovës në Maqedoni do të shkojnë sipas procedurave të rregullta dhe nuk do të ketë përshpejtime, thotë zëdhënësja dhe këshilltarja e ministrit të Jashtëm, Albana Beqiri. “Në momentin që dekretohet hapja e ambasadës, atëherë Ministria e Jashtme obligohet për fillimin e punës, për fillimin e procedurave ligjore, për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadash, çka do të thotë se ne do të hapim konkursin për ambasador dhe konkursi do t’u nënshtrohet të gjitha procedurave, sikurse edhe konkursi për 18 ambasadorët e deritanishëm”,- shpjegon Beqiri.
Kosovë - Mali e Zi
Përveç Shkupit, zëdhënësja Beqiri konfirmon se Prishtina i ka dërguar ftesën zyrtare edhe Podgoricës, për vendosjen e raporteve diplomatike në nivel ambasadash ndërmjet Kosovës e Malit të Zi. Tani mbetet që Mali i Zi të kthejë përgjigjen, thekson Beqiri. “Përsa i përket Malit të Zi, ne jemi duke pritur përgjigjen për ftesën tonë që ia kemi bërë Podgoricës zyrtare për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadash. Në momentin që përgjigjja është pozitive, atëherë do të fillojnë procedurat, ashtu sikurse edhe për ambasadat e tjera, pa asnjë dallim”,- thotë Beqiri. Raportet diplomatike ndërmjet Prishtinës e Shkupit si dhe vendeve të tjera fqinje vlerësohen pozitivisht edhe nga analistët. Analisti Afrim Hoti thotë se këto raporte i kontribuojnë paqes e stabilitetit në rajon, me gjithë kundërshtimet aktuale të Serbisë.
Analistët
“Vendosja e raporteve në mes të dy republikave është krejtësisht pozitive. Në rajon do të reflektojë po ashtu pozitivisht, por, normalisht, nuk duhet harruar fakti që mbase me shtetet e caktuara do të lindnin, e them kushtimisht, probleme dhe në këtë rast e kam fjalën për raportet mes Maqedonisë dhe Republikës së Serbisë”. Raporte të tilla mendoj se vetëm do të jenë në nivelin e deklaratave dhe tensioneve të momentit, ndërkohë që në perspektivë, mendoj dhe jam shumë i bindur që këto do të jenë krejtësisht pozitive”, shprehet Hoti. Në vitin e parë të shtetësisë së Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu pati dekretuar hapjen e 10 ambasadave, ndërkaq këtë vit ishte akredituar hapja e 8 ambasadave të tjera. Në të ardhmen, zyrtarë kosovarë kanë konfirmuar se nuk planifikohet të shkohet me hapjen në bllok të ambasadave, por do të vendoset veç e veç, varësisht vendeve dhe vlerësimeve politike që do të bëhen.

DASH përshëndet marrëdhëniet Kosovë - Maqedoni

Qeveria amerikane përmes një deklarate për shtyp, ka përshëndetur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Maqedonisë, duke e quajtur këtë një hap të rëndësishëm për stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë. “Shtetet e Bashkuara ngrohtësisht mirëpresin vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, si dhe përfundimin e suksesshëm të demarkacionit në kufirin e përbashkët”,- thuhet në kumtesën që i atribuohet zëdhënësit të Departmentit të Shtetit, Ian Kelli. “Ne e përgëzojmë udhëheqjen e të dy vendeve për vendosmërinë e tyre për ndërmarrjen e një hapi të rëndësishëm drejt integrimit euroatlantik, duke vendosur marrëdhënie të mira fqinjësore dhe duke forcuar stabilitetin rajonal”,- thekson kumtesa e qeverisë amerikane.

Tirana zyrtare: Marrëveshja Kosovë-Maqedoni, hap historik

Qeveria shqiptare ka përshëndetur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, duke e cilësuar këtë një hap historik. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Qeverisë, Majlinda Bregu, thekson se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Maqedonisë është një akt historik në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve. “Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes këtyre dy vendeve është një kontribut shumë i rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimit Euroatlantik”,- tha Bregu. Tri ditë më parë, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë nënshkruan marrëveshjen për përcaktimin e kufirit midis dy vendeve. Qeveria shqiptare përshëndeti këtë marrëveshje, duke e cilësuar atë “një kontribut shumë të rëndësishëm për konsolidimin e paqes.

Greqi
Qeveria e Papandreut merr votëbesimin në parlament

Qeveria e re greke e udhëhequr nga kryeministri Jorgo Papandreu fitoi votëbesimin e parë në parlament dhe tani mund të fillojë punën. Tashme ekzekutivit socialist i është hapur rruga për të filluar luftën e premtuar ndaj krizës dhe korrupsionit. 160 deputetët votuan pro qeverisë, ndërkaq 140 deputetët e katër partive opozitare votuan me vendosmëri kundër kabinetit të Lëvizjes Socialiste Panhelenike (PASOK). Kështu përfundoi periudha qeverisëse mbi pesëvjeçare e Partisë “Demokracie e Re” të kryeministrit Kostas Karamanlis. Në debatin që zgjati tri ditë Papandreou e vlerësoi gjendjen ekonomike si “eksplozive”.

Gjermani
Nëgociata për krijimin e koalicionit

Brenda javës partnerët e ardhshëm të koalicionit në Berlin, CDU/CSU dhe FDP duan të mbyllin bisedimet rreth koalicionit qeverisës. Më 25 tetor FDP-ja dhe më 26 CDU-ja do të votojnë marrëveshjen në kongreset përkatëse. Të shtunën bisedimet ngecën dhe një dështim i tyre nuk mund të përjashtohet. Çështjet që janë ende të hapura do të konsultohen më tej nga e hëna në grupet e punës që kanë zhvilluar bisedime dy javët e fundit. Nga e mërkura tryeza e madhe e koalicionit do të sheshojë pikat e fundit të mbetura të diskutueshme. Të enjten mund të përcaktohet se kush do të marrë cilën ministri.

Iran
Ahmadinexhad akuzon Pakistanin rreth sulmit

Irani ka akuzuar Pakistanin se është i përfshirë në sulmin vetëvrasës në Iran në të cilin u vranë 30 vetë, përfshirë edhe gjashtë kamandantë të elitës ushtarake të Gardës Revolucionare në një rajon afër kufirit me Pakistanin. Ky ishte sulmi më i fuqishëm mbi Gardën Revolucionare për shumë vite. Presidenti Iranian, Mahmoud Ahmadinexhad, tha se personat që ndodheshin prapa sulmit janë në Pakistan si dhe i bëri thirrje Islamabadit që t’i dorëzojë ata. Irani thotë se një grup militant sunit ka marrë përgjegjësinë për sulmin dhe kërcënojë se do të hakmerrej për të. Pakistani, i cili ka mbështetur grupet militante sunite në të kaluarën ka dënuar sulmin më të fundit.

20 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›