E Enjte, 5 Nëntor 2026

Banorët e zonës “5 Majit” sërish në protestë

Banorët e zonës së “5 Majit” kanë zhvilluar sërish të shtunën një protestë. Kërkesa e tyre tashmë e përsëritur drejtuar kryeministrit Rama është “Na vlerëso pronat me çmimin e tregut”.
“Ne jemi shtetas shqiptarë! Edhe ne kemi të drejta prone, të drejtë jete! E vetmja gjë që më mbetet mua është të mbroj pronën time” tha një prej protestuesve. Sipas tyre autoritetet kanë nënshkruar asnjë dokument, por kanë dhënë vetëm premtime.

Autoritetet bashkiake thonë se të gjitha familjet do të trajtohen sipas ligjit. Kryeministri Edi Rama i cili u takua vete me banorët, deklaroi se “për të gjithë banorët qoftë të “5 Majit”, dhe të zonës së Unazës, të cilët janë të ndarë në dy kategori, do të ketë një trajtim të dinjitetshëm, njerëzor, solidar, njësoj siç u bë me të gjithë ata që humbën shtëpitë nga tërmeti”.

“Ata që janë me certifikatë pronësie s’kemi çfarë diskutojmë, sepse ata janë me dokumente të rregullta, ligjorë dhe për ta zgjidhja është e qartë: ose dëmshpërblim financiar, ose kompensim me këmbim, që ata të marrin më shumë se kanë si pronë duke qenë pronarë”, tha zoti Rama pak ditë më parë.

“Për ata që janë pa letra fare, siç është rasti i nënës këtu, qasja është solidare nuk është hedhje në rrugë, nuk është nxjerrë në qiell të hapur. Ua shpjegova të gjitha procedurat, u tregova që qysh në qershor të vitit të kaluar kanë marrë njoftimin, që do të thotë që shtëpia që është pa leje prishet dhe familja merr kompensimin me shtëpi, njësoj si ata që mbetën pa shtëpi nga tërmeti. Deri në marrjen e shtëpisë, paguhet nga shtetit një bonus qiraje për familjen”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›