E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët “kyçin” shkollën, përplasen me policinë për mësuesen e fshatit

Prindërit e nxënësve në fshatin Batër të Matit hidhen në protestë, duke kundërshtuar largimin e mësueses. Policia shoqëron këtë të fundit dhe e dërgon me urgjencë në spital

MAT-Një fshat i Matit është përfshirë në protestë, në mbrojtje të mësueses që u shkarkua nga Drejtoria Arsimore. 120 nxënës të shkollës “Hasan Kala” në Batër të Vogël, komuna Komsi, kanë mbetur pa mësim që prej së mërkurës, pasi prindërit e tyre nuk janë dakord me largimin e mësueses së fshatit. Një vendim i Zyrës Arsimore të Rrethit Matit, për zëvendësimin e mësueses së biologjisë, ka sjellë reagimin e saj, prindërve dhe nxënësve të fshatit. Ata kanë vendosur mbi derën e shkollës një çelës dhe nuk kanë lejuar askënd ta hapë shkollën. Fillimisht janë bërë negociata për të bindur prindërit të lejonin fillimin e mësimit në këtë shkollë, por kjo nuk është bërë e mundur. Gentiana Brahimetaj, mësuese zëvendësuese në këtë fshat, është zëvendësuar nga një tjetër kolege, banore e komunës Baz. Ky vendim ka hasur në rezistencën e Brahimetajt dhe prindërve të nxënësve, që ajo ka mësuar tre vitet e fundit. “Nuk është e drejtë që të vijë një mësuese tjetër, pikërisht tri ditë pa mbaruar viti shkollor. Ajo është banore e një fshati larg fshatit tonë. Kam frikë se ky emërim në ditët e fundit të vitit shkollor ka qëllime të tjera” - u shpreh mësuesja e larguar nga puna. Nëse dy ditët e para pas mbylljes së shkollës nuk pati përplasje fizike, dje situata ka agravuar keqas. Zyra Arsimore ka kërkuar nga policia lokale të ndërhyjë për hapjen e shkollës. Efektivë të policisë janë dërguar në fshat dhe kanë tentuar të ndërhyjnë me forcë për hapjen e derës kryesore, por ata janë përplasur me banorët e zonës. Ata janë grumbulluar para derës së shkollës dhe nuk kanë lejuar hapjen e saj. Në pamundësi për të hapur derën e shkollës, policia ka ndërmarrë një veprim tjetër. Ajo ka shoqëruar në polici mësuesen e fshatit, Gentiana Brahimetaj, por edhe ajo është dërguar me urgjencë në spital, pasi ka pasur probleme shëndetësore. Megjithëse ka ndodhur kështu, Zyra Arsimore mohon të ketë kërkuar ndërhyrjen e policisë në këtë fshat, ndërkohë policia nuk ka dalë ende me një deklaratë për mediat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›